OJQ-të takojnë Avokatin e Popullit për Projektligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit

Prishtinë, 24 qershor 2010 – Përfaqësues të organizatave joqeveritare, në kuadër të marrjes së mbështetjes për kontekstin lidhur me Projektligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, përkatësisht nenit 22.1, të enjten kanë takuar Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi, duke kërkuar nga ai trajtimin e kësaj çështjeje në aspektin e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së ka thënë se neni 22.1 i këtij Projektligji është i padrejtë, ngase parasheh që deputetët të gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar qysh në moshën 50 vjeçare. Sipas tij, ky beneficion i rezervuar për deputetët nga vetë deputetët, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është diskriminuese në raport me qytetarët e Kosovës. Kryeziu ka shpjeguar po ashtu edhe rreth hulumtimit që ka bërë KDI lidhur me përvojat e vendeve të tjera. “Përveç Belgjikës e Shqipërisë që përcaktojnë moshën 55 vjeçare, shtetet tjera praktikojnë moshën 60 e 65 vjeçare”, ka thënë ai.

Driton Selmanaj nga KDI ka vlerësuar se shuma e pensionit suplementar për deputetët është diskriminuese. “Neni 22.1 është diskriminues, pasi vlera e pensionit parashihet të jetë 50 % e pagës aktuale, e që është mjaft e madhe”, ka shtuar Selmanaj.

Ndërkohë, Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Fol, ka theksuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po i shërbejnë interesave të qytetarëve. “Deputetët po tregohen shumë të gatshëm për rregullimin e statusit të tyre, e aspak atë të qytetarit”.

Nga ana tjetër, Avokati i popullit ka premtuar se do të angazhohet rreth kësaj çështjeje. Ai ka thënë se do ta përcjell me vëmendje zhvillimin rreth kësaj çështjeje. “Do ta trajtoj këtë çështjeje dhe nëse gjejmë elemente diskriminuese dhe kundër-kushtetuese, bashkë me ju do të shqyrtojmë edhe mundësinë që këtë çështje ta referojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurteshi.

Kjo iniciativë është mbështetur edhe nga OJQ-të tjera dhe ka për qëllim nxitjen e Presidentit për ta kthyer Ligjin në Kuvend ne mënyre qe te të rishqyrtohet nga ana e deputeteve dhe te ri amendamentohet ne harmoni me Kushtetutën dhe gjendjen ekonomike sociale në vend .