Deklaratë në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së asociimit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Lëvizja FOL, Syri i Vizionit, Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL), Rrjeti i Grupeve te Grave te Kosovës, , Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Kosovo United States Alumn, Developing Together (DT), Ec Ma Ndryshe
Deklaratë në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së asociimit
Prishtinë, 22 mars 2011 –
Ne, organizatat e lartshënuara, shprehim shqetësimin tonë ndaj sulmeve të fundit të një pjese të mediave lidhur me iniciativën legjitime të shoqërisë civile për të vepruar në mbrojtje të sundimit të ligjit dhe integritetit të institucioneve publike të Republikës së Kosovës.
Një dokument, draft-plan, i cili ishte publik dhe ka qarkulluar për diskutim ndërmjet organizatave jo-qeveritare, është kualifikuar si një përpjekje për “Puç”, “Komplot” ose “Rebelim” ndaj institucioneve të vendit, gjë që nuk ka të bëjë aspak me qëllimin e iniciativës përkatëse.
Keqinterpretimi i kësaj iniciative dhe përpjekja për ta prezantuar atë si kërcënuese, dashakeqëse dhe jo-ligjore dëmtojnë karakterin demokratik të shtetit të Kosovës ku Liria e Shprehjes dhe Liria e Asociimit janë të drejta themelore demokratike, të mbrojtura me Kushtetutën e vendit si dhe konventat ndërkombëtare. Fushata e raportimeve kërcënuese dhe denigruese ndaj organizatave pjesëmarrëse në këtë iniciativë ka cenuar integritetin personal dhe jetën e personave të përfshirë.
Gjithashtu kjo fushatë ka tentuar të ngulfasë reagimin civil në mbrojtje të interesit publik, duke i klasifikuar format e reagimit demokratik si anti-kushtetuese dhe anti-ligjore. Shoqëria civile ekziston dhe e ka për obligim që të merret me çështjet e interesit publik, në të gjitha format e lejuara me ligj dhe të bazuara në parimet universale demokratike.
Respektimi i formave legjitime të shprehjes së pakënaqësisë qytetare përkufizojnë një shtet demokratik dhe në këtë kontekst nuk duhet të ketë kurrfarë kompromisi.