Thaçi dhe Qeveria nuk kanë përmbushur pritjet e qytetarëve

Lëvizja FOL e vlerëson si të vërtetë dhe pajtohet me pohimin e kryeministrit Hashim Thaçi se populli po shpreh mosbesim ndaj udhëheqjes politike.

“Sot, ju mund të ndjeheni të zhgënjyer, sepse sot ka një krizë besimi ndaj politikës. Ju nuk jeni ende plotësisht të sigurt nëse Qeveria e mendon atë që e thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe do ta çrrënjosë atë nga sistemi”, kishte deklaruar Thaçi në fjalimin e tij para disatësh. “Kur në vitin 2007, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, garonte për të marrë pushtetin, premtoi se do të krijonte qeveri me personalitete të pakorruptueshme dhe që kanë kredo politike. Por, dy vjet pas qeverisjes me vendin, vetë qeveria dhe këto figura politike të PDK-së janë subjekt i hetimeve dhe dyshimeve për korrupsionin”, konstaton FOL në Matësin, tashmë të rregullt javor, të së Vërtetës së deklaratave të udhëheqësve.

Sipas kësaj lëvizjeje, Thaçi dhe kjo qeveri nuk kanë përmbushur as për së afërmi pritjet e qytetarëve që kanë besuar për një qeverisje më ndryshe të këtij vendi. FOL, megjithatë, thotë se Thaçi, në fjalimin e tij 13 minutash, e pranoi se kjo qeveri nuk e ka më besueshmërinë e popullit, duke dhënë premtime të reja, kur i kanë mbetur më pak se gjysma e mandatit qeverisës.

Nga fjalimi 13 minutash të kryeministrit Hashim Thaçi, të mbajtur më 8 qershor, në të cilin kryekëput i referohet Matësi i së Vërtetës, FOL ndërkaq nxjerr edhe një numër të pavërtetash, raporton KosovaLive.

FOL spikat si të pavërtetë pohimin e kryeministrit se qeveria po punon që të sigurojë “një sistem gjyqësor që punon pa ndërhyrje politike.” Kjo deklaratë ballafaqohet me shumë raporte ndërkombëtare dhe ato vendore, në të cilat shumë herë është përsëritur se ndërhyrja e politikës në drejtësi është problemi më i madh i funksionimit të këtij pushteti.
“Deklarata e kryeministrit është krejtësisht e pasinqertë, sidomos duke marrë parasysh faktin se Raporti i fundit i EULEX-it e akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Thaçi për ushtrimin e ndikimeve të tij në procesin e gjykimit të pjesëtarëve të Grupit të Llapit,” thotë FOL.
Për më tepër, FOL shton se jomoralitetin e politikës se nuk dëshiron të ndërhyjë në gjyqësor e vulos deklarata e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, sipas të cilit, EULEX-i është joserioz në hetimet ndaj Limajt, dhe se menjëherë duhet ta ndërpresë këtë proces.

Të pavërtetë, por edhe “parullë të përditshme” të kryeministrit, FOL e quan pohimin se Kosova është një dhe se Kushtetuta e saj do të zbatohet në mënyrë të barabartë përgjatë gjithë territorit të këtij vendi, duke thënë se kjo demantohet çdo ditë në veri të Mitrovicës.

“As Kushtetuta dhe asnjë organ ligjor i shtetit nuk po mund t”u ofrojë siguri banorëve shqiptarë të veriut, që duhet të përballen vetë me sulmet e vazhdueshme të elementëve ekstremistë serbë. Madje, struktura të pushtetit serb po vazhdojnë të jenë aktive në këtë pjesë, ndaj edhe parulla e Kushtetutës që funksionon në krejt territorin vazhdon të mos vlejë,” konstaton FOL. Lëvizja FOL,njëherësh e quan të pavërtetë edhe pohimin se Qeveria që udhëheq Thaçi e ka thyer heshtjen dhjetëvjeçare, akumulimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë në ballë të kësaj beteje.

Duke rikujtuar se të gjitha qeveritë deri më tash kanë folur e përmendur korrupsionin, por asnjëra nuk e ka luftuar atë, Fol thotë se është e paqartë pse kryeministri Thaçi insiston se institucionet janë në krye të luftimit të korrupsionit, kur kjo është e pavërtetë, dhe për më tepër, ajo që po hetohet, por nga EULEX-i, është vet qeveria e Kosovës.

“Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, është duke i kryer hetimet e rasteve të mëdha të korrupsionit, ndërkaq arrestimet e Policisë së Kosovës nëpër komuna, po shfrytëzohen vetëm si propagandë e kryeministrit,” vlerëson Lëvizja FOL në Matësin e së Vërtetës. Faleminderit për rekomandimin