Edhe FOL reagon për kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes

Lëvizja FOL përmes një komunikate ka dënuar ashpër kërcënimin e pa vend dhe pa shije ndaj themeluesit dhe drejtueses së kompanisë “Koha” nga persona të panjohur, përmes vendosjes së një pllakate etiketuese ndaj këtyre dy personaliteteve të shquara të shoqërisë kosovare.

“Koha Ditore dhe Kohavision në vazhdimësi kanë shërbyer si kanale të fuqishme në prezantimit e realitetit kosovar. Guximi dhe përkushtimi i gazetarëve dhe punëtorëve të këtyre dy mediumeve është inkurajim për të gjithë ne”, thuhet në komunikatë.

Në vijim FOL vlerëson se derisa një ditë më parë qytetarët e Kosovës emëruan në mënyrë simbolike një rrugë në Prishtinë me emrin e u.d. Kryeprokurorit të EULEX-it, si shenjë e thirrjes së fuqishme për rend dhe ligj në Kosovë, sot kemi parë një akt dekurajues, ku kërkohet që në Kosovë të mos dënohet krimi i organizuar dhe korrupsionit.

“Akte të shëmtuara të kërcënimit dhe etiketimit nuk e ndihmojnë Kosovën, por e largojnë atë nga perspektiva evropiane”, thuhet në komunikatën e lëvizjes FOL, e cila kërkon që organet e drejtësisë sa më parë të zbardhin këtë rast të kërcënimit dhe sulmit ndaj lirisë së shtypit.