Edhe disa të pavërteta të qeveritarëve

Lëvizja FOL, në konferencën e saj të rregullt për media, ka prezantuar raportin më të ri “Matësi i së vërtetës”, ku ka prezantuar disa nga deklaratat, sipas FOL, të pavërteta dhe gjysmë të vërteta të kryeministrit Hashim Thaçi dhe një deklaratë të pavërtetë të ministrit të Kulturës, Lutfi Haziri. Në “Matësin…” e kësaj jave, drejtuesi i FOL Petrit Zogaj ka përmendur se si deklaratë e pavërtetë vlerësohet ajo e kryeministrit Thaçi dhënë më 2 prill për bashkëpunim të mirë me opozitën, shoqërinë civile dhe mekanizmat ndërkombëtarë, e që në fakt, sipas tij në realitet po dëshmohet e kundërta.

“Kryeministri Thaçi ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me mekanizmat ndërkombëtarë, shoqërisë civile, opozitën, për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të ardhmen, duke shkurtuar shpenzimet e panevojshme dhe investimet në drejtime të duhura për qytetarët e Republikës së Kosovës. Faqja zyrtare e kryeministrit. 2 prill 20010. Është e pavërtetë”, ka thënë Zogaj.

Një tjetër deklaratë e pavërtetë është ajo e ministrit të Kulturës, Lutfi Haziri, i cili më 7 prill 2010 ka thënë “Unë jam shumë i lumtur që të gjithë ata që mendojnë se unë si kritik më i madh i qeverisë kam hyrë në këtë kabinet, e s”kam hyrë si servil i qeverisë. Qeverisje të përsosur nuk ka, pretendohet të ketë qeverisje më të mirë”.

“Arsyeja e hyrjes së Lutfi Hazirit në Qeverinë e Kosovës vihet në dyshim, për shkak të deklaratave të tij akuzuese, e jo kritikuese në drejtim të qeverisë Thaçi. Mund të jetë e vërtetë që qeverisje të përsosur nuk ka, por Haziri gjithmonë ka folur për keqqeverisje në Kosovë dhe jo për një të mirë që do të bëhet më e mirë”, ka thënë Zogaj. /rtv21/