Lëvizja Fol i cilëson të pavërteta deklaratat e Thaçit

Lëvizja Fol të shtunën prezantoi raportin e verifikimit të deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës, ndërkaq derisa deklaratat e presidentit Fatmir Sejdiu rreth njohjes së shtetit të Kosovës janë cilësuar si gjysmë të vërteta, deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me rritjen e pagave të mjekëve dhe policëve dhe deklarata tjera të tij, janë quajtur si të pavërteta.

Lëvizja Fol në një konferencë për media rikujtoi deklaratat e krerëve të institucioneve të Kosovës, sipas të cilëve dolën të jenë të pavërteta. Petrit Zogaj, nga lëvizja Fol, sç njofton KosovaLive, rikujtoi deklaratën e Thaçit në fillim të shkurtit për protestën e policëve dhe mjekëve me ç”rast ishte shprehur “Ne kemi bërë lëvizjet. Ne kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që të lëvizim në këtë drejtim. Besoj fuqishëm se lëvizjet, të cilat janë bëra nga ministritë përkatëse që do të rezultojnë me angazhime konkrete për kryerjen e përgjegjësive në raport me të gjitha kategoritë e shoqërisë kosovare”.

Sipas përfaqësuesve të lëvizjes Fol kjo deklaratë e Thaçit është e pavërtetë, pasi që çështja e policëve dhe mjekëve është zvarritur dhe nuk është zgjidhur asnjëherë si duhet, policët e Kosovës, sidomos njësitë e specializuara kanë shfaqur hapur pakënaqësinë e tyre me pagat, dhe ngritjen simbolike të tyre. “Vetë propozimi qeveritar në nëntor të vitit të kaluar, fliste për rritje pagash për njësitë e specializuara 140 euro, gjë që nuk është bërë edhe me marrëveshjen e djeshme. Edhe mjekët kanë protestuar duke akuzuar qeverinë se nuk i ka mbajtur premtimet për rritje pagash, 44 eurot e premtuara nuk janë dhënë rregullisht…”, tha Zogaj.

Lëvizja Fol të pavërteta i quajti edhe deklaratat e bëra po nga kreu i ekzekutivit kosovar se Prizreni është kryeqytet i kulturës në Kosovë dhe se në këtë qytet do të ndërtohet një teatër modern evropian.

“2 vjet e disa muaj nga ky premtim elektoral, qyteti historik nuk ka fare teatër, e aq më pak modern e evropian. Shfaqjet e pakta teatrale përgatiten dhe jepen në Shtëpinë e Kulturës në Prizren. Ende askush nuk ka folur për mundësinë e ndërtimit të teatrit në qytetin e dytë më të rëndësishëm të vendit”, tha Zogaj. Sipas lëvizjes Fol, PDK-ja, lideri i së cilës e ka dhënë këtë premtim në zgjedhjet e 2007-ës, e ka fituar Prizrenin edhe në zgjedhjet lokale të 2009-s (2010) dhe e ka borxh që në këtë mandat këtë qytet ta bëjë me teatër.

Deklarata tjetër e radhës e kryeministrit Thaçi, e cilësuar si e pavërtetë ka të bëjë me deklaratën se qeveria angazhohet që tarifat e energjisë elektrike të reflektojnë koston aktuale të prodhimit dhe të jenë të përballueshme nga të ardhurat e konsumatorëve familjarë.

“Zotimi është i pavërtetë sepse rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë, dhe fakti që ajo është më e shtrenjta në rajon, është e papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës”, pohoi Zogaj.

Deklarata të pavërteta janë quajtur edhe ato të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për procedimin në Kuvend të Ligjit për financimin e partive politike.

http://www.koha.net/index.php”cid=1,7,10906