Lëvizja FOL takoi Kryetarin e Ferizajt z. Muharem Svarqa rreth transparencës në Prokurimin Publik
Ferizaj, 13 Janar 2014 – Në vazhdën e kërkesave nga Lëvizja FOL drejtuar gjashtë komunave të Kosovës, përfaqësues nga Lëvizja FOL, sot janë takuar me Kryetarin e Komunës së Ferizajt z. Muharem Svarqa. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth mundësisë së bashkëpunimit në mes këtij institucioni dhe Lëvizjes FOL e në veçanti rreth mundësisë së monitorimit të proceseve të prokurimit publik në Komunën e Ferizajt.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se monitorimi i proceseve të prokurimit publik synohet të bëhet me qëllim të rritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies në këtë sektor, përmes të cilit mekanizëm shpenzohet një pjesë e madhe e parasë publike. Gjithashtu Petrit Zogaj tha se “monitorimi do të ndikojë në parandalimin e keq-përdorimeve, keq-menaxhimeve dhe korrupsionit në këtë sektor dhe do të ndikojë në respektimin e ligjit dhe procedurave gjatë realizmit të proceseve të prokurimit”.
Kurse kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Muharem Svarqa shprehu interesimin dhe gatishmërinë e tij si kryetar komune për mundësitë e bashkëpunimit. Ai më tutje potencoi se “është shumë i interesuar për rritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies jo vetëm në sektorin e prokurimit publik por edhe në sektorët tjerë të qeverisjes komunale”.
Në fund të takimit të dy palët u pajtuan që në një afat të shkurtër kohor të nënshkruajnë një Memorandum të Bashkëpunimit në bazë të te cilët do të realizohet monitorimi i procedurave të prokurimit publik në Komunën e Ferizajt.