Punëtori: “Drejt një praktike gjyqësore të unifikuar dhe efikase në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme”
Istog, 16-18 nëntor – Lëvizja FOL, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, organizoi punëtorinë tri ditore me temën “Drejt një praktike gjyqësore të unifikuar dhe efikase në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme”, e cila u mbajt nga 16 deri më 18 nëntor 2026, në Istog.
Punëtoria mblodhi gjyqtarë dhe përfaqësues institucionalë për të diskutuar sfidat në praktikën gjyqësore, me fokus në unifikimin e vendimmarrjes, zbatimin e legjislacionit, efikasitetin e procedurave dhe forcimin e sigurisë juridike.
Gjatë tri ditëve u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me kompetencat e Dhomës së Posaçme, konfliktin e kompetencës me gjykatat e rregullta, afatet e parashkrimit, gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe mundësitë për zgjidhjen e kontesteve përmes pajtimit gjyqësor.
Në këtë aktivitet, drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, rikonfirmoi përkushtimin e organizatës për të mbështetur iniciativa që kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e praktikave gjyqësore dhe rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Punëtoria shërbeu si hapësirë për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe identifikimin e rekomandimeve konkrete për një praktikë gjyqësore më të unifikuar, më konsistente dhe më efikase. Diskutimet përfshinë edhe Planin e Punës dhe Planin e Veprimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vitin 2027.