Reagim mbi pezullimin e Dialogut Strategjik SHBA – Kosovë
Prishtinë, 12 shtator 2025 – Lëvizja FOL shpreh shqetësimin e thellë mbi njoftimin e sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë lidhur me pezullimin e Dialogut Strategjik SHBA – Kosovë.
Ky vendim përbën një humbje të madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi Dialogu Strategjik përbën një hapësirë të veçantë për ndërtimin e partneriteteve afatgjata diplomatike, si dhe për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit tonë.
Veprimet konfrontuese të Qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe kanë cenuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë situatë, bëjmë thirrje Qeverisë dhe gjithë akterëve politikë të tregojnë përgjegjësi të lartë, të ulin retorikën përçarëse dhe të rikthehen në rrugën e bashkëpunimit konstruktiv me partnerët tanë strategjikë.
Është urgjente që të ndërmerren hapa konkretë për të dëshmuar angazhimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe interesave të saj afatgjata strategjike.