FOL&IKD: Disa parregullsi dëmtuan integritetin e zgjedhjes së rektorit në Universitetin e Gjilanit

Prishtinë, 12 korrik 2023 – Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), si organizata të specializuara në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë dhe me përvojë të gjatë në monitorimin e proceseve rekrutuese, janë pajtuar që së bashku të bëjnë monitorimin e procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të rektorit të ri të Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, me 6 korrik 2023.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan pas zhvillimit të procesit të intervistave me katër (4) kandidatë, me 6 korrik 2023, ka zgjedhur Artan Dermakun, rektor të këtij Universiteti. Në konkursin e shpallur me 7 qershor 2023, kishin aplikuar pesë (5) kandidatë. Aplikimet i kishin dorëzuar kandidatët, Dukagjin Leka (UKZ), Xhevat Sopi (UKZ), Artan Dermaku (UKZ), Fadil Osmani (UKZ) dhe Xhavit Islami (AAB). Pas shqyrtimit të kandidaturave nga Komisioni i Shqyrtimit të Aplikacioneve, Këshilli Drejtues (KD) i ka rekomanduar vetëm katër (4) kandidatë, kjo pasi është refuzuar kandidatura e Xhavit Islamit.

Gjetjet e Koalicionit konsistojnë në atë se edhe pse përbërja e Këshillit Drejtues është me shtatë (7) anëtar, procesi i intervistimit të kandidatëve kishte filluar me përbërje të gjashtë (6) anëtarëve të KD-së, pasi anëtari i KD-së Urtak Hamiti nuk kishte qenë i pranishëm që nga fillimi i procesit të intervistimit të kandidatëve. Tutje, edhe pse i njëjti nuk ka qenë pjesë e tërë procesit të intervistimit të kandidatëve për rektor, i njëjti ka marrë pjesë në procesin e votimit për rektor.

Sipas Koalicionit, është e qartë që sipas Statutit të UKZ-së dhe Rregullores së Punës nuk kërkohet poentimi i intervistave me pikë dhe se të gjitha Universitetet në përgjithësi e ndjekin këtë praktikë. Por, është e rëndësishme që karakteri i intervistës të rregullohet me Rregulloren e veçantë të zgjedhjes së rektorit. Në këtë drejtim IKD dhe Lëvizja FOL rekomandojnë që të plotësohet rregullativa ligjore ku do të eliminoheshin të gjitha këto mangësi.

Po ashtu, IKD dhe Lëvizja FOL konsiderojnë se procedurat e zgjedhjes dhe votimit për rektor si në UKZ por edhe në të gjitha universitet publike duhet të jenë të qarta dhe të mos lënë hapësira për keqinterpretim të dispozitave. KD-ja duhet të miratojë rregullore të veçanta për zgjedhjen e rektorit ku duhet të parashihen edhe detajet më të vogla në procedurën e zgjedhjes apo shkarkimit të rektorit të UKZ-së.

Gjithashtu, IKD dhe Lëvizja FOL, kërkojnë nga organet drejtuese që të ndërmarrin masa ndaj anëtarit të KD-së, Urtak Hamitit për shkak të qasjes së tij jo etike dhe joprofesionale ndaj monitoruesve dhe tentimit të tij për t’i penguar monitoruesit në monitorimin e procesit edhe të votimit të zgjedhjes së rektorit të UKZ-së.

Tutje, Koalicioni i OJQ-ve gjatë monitorimit të këtij procesi konsideron që kryesuesi i KD-së Ilir Gjinolli ka dështuar të ushtrojë funksionin e tij si kryesues i këtij Këshilli dhe të sigurojë mbarëvajtjen e mbledhjes së KD-së, ashtu siç kërkohet me Statutin e UKZ-së dhe Rregulloren e punës së KD-së.

IKD dhe FOL, kërkojnë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) që të ndërmarr masa ndaj kryesuesit të KD-së, Ilir Gjinolli, kjo për shkak të kërkesës së tij për ta larguar videon nga ueb-faqja e “Betimi për Drejtësi”. Sipas, Koalicionit kërkesa të tilla paraqesin ndërhyrje në punën e Organizatës dhe për më tepër, cenojnë rëndë parimin e transparencës, llogaridhënies dhe të drejtën e interesit publik që të jenë të informuar për procese të tilla të rëndësishme.