Lëvizja FOL pjesë e koalicionit Pro Open
Prishtinë, 6 Shkurt 2018 – Lëvizja FOL do të jetë pjesë e koalicionit Pro Open, për hapje të të dhënave dhe llogaridhënie në Prokurimin Publik.
Më poshtë mund të lexoni deklaratën për themelimin e këtij koalicioni:
Deklaratë për Themelimin e Koalicionit për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik – Pro Open
Menaxhimi i mirë i fondeve publike është element kyç i ofrimit të shërbimeve për qytetarë nga secili institucion publik. Prokurimi publik në Kosovë që nga themelimi i institucioneve vetëqeverisëse ka qenë dhe mbetet fushë e gjelbër për korrupsion, pavarësisht synimeve për ta rregulluar këtë sektor me ligje të mira, të cilat janë bazuar në legjislacionin evropian. Ndërhyrjet e grupeve të interesit të lidhura në shumë raste me partitë politike, në vazhdimësi i kanë cenuar të gjitha iniciativat për reformë në prokurimin publik në Kosovë dhe zbatim efektiv të ligjit.
Përkundër projekteve të shumta të asistencës për institucionet e Kosovës nga donatorët, dhe tentimeve të vazhdueshme për të rregulluar këtë sektor të ndjeshëm në Kosovë, korrupsioni mbetet në nivele të larta. Kjo situatë ka ndikuar që ofrimi i shërbimeve për qytetarët të jetë i dobët, fuqizohen kompanitë të cilat kanë paguar ryshfet dhe pasurohen zyrtarët publik të cilët kanë ndikim në dhënien dhe menaxhimin e kontratave publike. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ka munguar një bashkëveprim i strukturuar në mes të medias dhe shoqërisë civile, të cilat do të duhej ta mbanin gjallë presionin ndaj zyrtarëve publik përmes informimit të opinionit për problemet në prokurimin publik.
E tërë kjo nuk do të mund të ndodhë përderisa qeveria vazhdon të mbetet e mbyllur për qytetarët. Hapja e të dhënave është një prej elementeve kyçe që mundëson ngritje të transparencës së zyrtarëve qeveritarë, stimulim të inovacionit, dhe u ofron ndihmë bizneseve në hulumtim të tregut, e që rrjedhimisht kontribuon në ngritje të investimeve dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Ky koalicion do të bëjë presion të vazhdueshëm që qeveria të bëjë sa më shpejt hapjen e të dhënave që i posedon.
Me qëllim të luftimit të korrupsionit në prokurimin publik, ky koalicion gjithashtu synon që përmes ekspozimit të korrupsionit, të rrisë presionin ndaj institucioneve publike, për të adresuar të gjitha shkeljet e identifikuara në prokurim. Koalicioni do të denoncojë të gjithë zyrtarët dhe kompanitë të cilët kryejnë shkelje në prokurim dhe do të monitoroj reagimin e institucioneve të drejtësisë.
Koalicioni për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik “Pro Open”:
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur
Luan Shllaku
Lëvizja FOL
Jeton Zulfaj
Organizata Çohu
Arton Demhasaj
EC Ma Ndryshe
Edon Mullafetahu
Demokraci Plus
Valmir Ismaili
Instituti Demokratik i Kosovës
Ismet Kryeziu
Instituti Riinvest
Alban Hashani
Iniciativa për Progres
Albulena Nrecaj
Instituti Columbus
Dardan Selimaj