Prokuroria zgjidh lëndë kundërkorrupsion më shumë se sa pranon, performanca jo e njëjtë në të gjitha Prokuroritë

Prishtinë, 20 Prill 2017 – Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin “Përtej numrave – performanca e Prokurorisë në luftën kundërkorrupsionit” për vitin 2016.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se të dhënat e prezantuara në këtë raport janë statistika vjetore dhe janë marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe janë të verifikuara. “Këto të dhëna janë marrë vetëm nga grupi i veprave penale: ‘Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, nenet 422 – 437, Kapitulli XXXIV i Kodit Penal të Kosovës’. Ndërkaq matja e efikasitetit të Prokurorisë në fushën kundërkorrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë por edhe në metoda tjera”, tha Zulfaj.

Sipas tij, për dallim nga gjyqësori, puna e të cilit matet me lëndë, puna e Prokurorisë matet kryesisht me persona dhe se kjo matje nuk tregon për cilësinë e lëndëve dhe cilësinë e punës së prokurorëve, cilësinë e shërbimit të administratës apo integritetin dhe profesionalizmin e prokurorëve.

“Fushat në të cilat FOL ka mat performancën e Prokurorisë janë: Fluksi i lëndëve, norma e zgjidhjes së lëndëve, norma e qarkullimit të lëndëve, trendi i zgjidhjes së lëndëve, kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve dhe indeksi i lëndëve të grumbulluara”, tha Zulfaj.

Fluksi i lëndëve kundërkorrupsion në nivel kombëtar për vitin 2016 ishte: Lëndë të pazgjidhura 1424, lëndë të reja 826, lëndë në punë 2250, lëndë të zgjidhura 1073, lëndë të pazgjidhura – 1177.

Ndërkaq, në shtatë prokuroritë themelore dhe atë speciale janë zgjidhur më shumë lëndë se sa që kanë pranuar për vitin 2016 duke bërë që prokuroria të punojë me një normë të zgjidhjes së lëndëve në nivel prej 130%.  Ndërsa koha e zgjidhjes së lëndëve në nivel kombëtar qëndron në 405 ditë. Sa i përket indeksit të lëndëve që na tregon lëndët e grumbulluara në nivel kombëtarë indeksi qëndron në 1.32.

Ndërkaq sa i përket të gjeturave për prokuroritë themelore, Zulfaj tha se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka numrin më të madh të lëndëve të bartura, lëndëve të reja, lëndëve në punë por gjithashtu edhe numrin më të madh të lëndëve të zgjidhura dhe të bartura.

“Prokuroria speciale me Prokurorin Themelore në Prishtinë kanë normën më të mirë të zgjidhje së lëndëve për vitin 2016 me PS 210% PTHP 203, kurse Mitrovica dhe Gjilani kanë normën më të ulët PTHM = 66% PTHGJ = 84%. Të tjerat nuk kanë zgjidhur lëndë më shumë se sa kanë pranuar”, tha ai, duke shtuar se trendi e zgjidhjes së lëndëve mund ta masim vetëm për prokuroritë të cilat zgjidhin më shumë lëndë se sa pranojnë.

Në bazë të këtij trendi Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës pritet që ti nivelizojnë lëndët në 5 vitet e ardhshme, kurse Prokuroria Themelore në Pejë për 19 vjet.

Megjithatë, përkundër trendit pozitiv dhe normës së lartë të zgjidhjes së lëndëve, Prokuroria Speciale dhe ajo Themelore e Prishtinës kanë një normë të ultë të qarkullimit të lëndëve së bashku me Ferizajn dhe Mitrovicën, kjo sepse numri i lëndëve të bartura vazhdon të jetë i madh. Gjilani ka pasur normë të ulët të zgjidhjes së lëndëve për shkak të fluksit të madh në vitin 2016 por Gjilani ka normën më të mirë të qarkullimit për vitin 2016. Kjo pasi Gjilani ka raportuar numrin më të ulët të lëndëve të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese.

Koha e zgjidhjes së lëndëve tregon se Mitrovica qëndron më së keqi pasi prokuroria atje merr 1175 ditë për trajtimin e një rasti e shoqëruar nga Specialja me 608 ditë, Ferizaj 589 ditë dhe Prishtina me 413 ditë, kurse Gjilani dhe Peja kanë kohën më të shkurtër të trajtimit të lëndëve.

Ky aktivitet është në kuadër të grantit të  financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).