Letër publike: Heshtja nuk është opsion

I nderuar Rektor i Universitetit të Prishtinës, z. Qerim Qerimi,

Ne organizatat e poshtëshënuara po ju drejtohemi përmes kësaj letre të hapur për të kërkuar veprim të menjëhershëm nga ju si Rektor i Universitetit të Prishtinës për denoncimet e 27 studenteve të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmime seksuale nga profesori Xhevat Krasniqi.

Ne kërkojmë suspendim të menjehershëm të Xhevat Krasniqit deri në epilogun e rastit. Duhet të ketë zero tolerancë për raste kur profesorët ngacmojnë seksualisht studentët e tyre dhe aq më pak kur këta profesorë veçse janë ngacmues seksual të dëshmuar, siç është Xhevat Krasniqi, i suspenduar nga Universiteti i Gjakovës për vepra të njejta kriminale. Duke heshtur karshi këtij akti kriminal ju jeni duke bashkëpunuar me ngacmuesin dhe jeni duke amnistuar e nxitur krimet seksuale brenda Universitetit të Prishtinës.

Mjaft është mjaft, ne kërkojmë drejtësi dhe e kërkojmë atë menjëherë!

Nuk i tolerojmë ngacmimet seksuale të Xhevat Krasniqit. Aktet e tij të kundërligjshme nuk mund të normalizohen e as të minimizohen. Ngacmimi seksual nuk ka vend në Universitetin e Prishtinës. Mirëqenia e studentëve/eve duhet të prioritetizohet.

Ju bëjmë thirrje që si bartës i pozitës më të lartë brenda këtij institucioni të merrni përsipër zgjidhjen e këtij rasti dhe vendosjen e drejtësisë në UP në duart tuaja. Çdo gjë më pak do të ishte një tradhti ndaj besimit që ju është dhënë për ushtrimin e kësaj detyre dhe një dështim për të mbajtur lartë vlerat e integritetit dhe respektit brenda universitetit publik.

Heshtja nuk është opsion. Mosveprimi nga ana juaj është i papranueshëm!

Solidarizohuni me ne dhe kërkoni përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat e ngacmimeve seksuale. Ne nuk do ndalemi derisa Universiteti i Prishtinës të çlirohet nga epidemia e ngacmimit seksual.

Kërkojmë nga ju me mirëkuptim që të na mbani të informuar rreth rastit. Qëndrojmë në dispozicion për korrespodencë të mëtutjeshme.

Faleminderit për vëmendjen.

Organizatat mbështetëse:

  1. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë – YIHR KS
  2. Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ
  3. Lëvizja Feministe Studentore – LFS
  4. Qendra për Liri dhe Barazi – CEL Kosova
  5. Qendra për Zhvillim të Grupeve Sociale – CSGD
  6. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF
  7. Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
  8. Organizata për Rritje të Cilësisë në Arsim – ORCA
  9. YMCA Kosova
  10. Instituti Kosovar për Drejtësi – IKD
  11. Lëvizja FOL
  12. Instituti D4D
  13. Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK
  14. Bubble Foundation
  15. Community Building Mitrovica – CBM
  16. Dylberizm
  17. Termokiss
  18. Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED
  19. Voice of Roma, Ashkali and Egyptians – VoRAE
  20. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK
  21. Dokufest
  22. Instituti Sekhmet
  23. Instituti Musine Kokalari
  24. Integra
  25. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – KRCT
  26. Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë – HLCK
  27. Iniciativa për Progres – INPO
  28. Kosovo Women 4 Women – K-W4W
  29. Advancing Together – AT
  30. Çohu
  31. Qendra Kosovare për Studime Sigurite – QKSS
  32. Forumi Kosovar i Aftësive të Kufizuara – KDF
  33. Pishtarët
  34. Hyjneshat