456 raste të shpërdorimit të pozitës zyrtare, KORRUPSIONI i shtrirë brenda institucioneve

Prishtinë, 11 nëntor 2012 – Lëvizja FOL ka publikuar sot, Raportin e saj ‘Monitoruesi i Korrupsionit’, në të cilin përfshihen të gjitha aktivitetet e ndërmarra institucionale në luftë kundër korrupsionit për periudhën tre mujore korrik-shtator 2012. Në bazë të këtij raporti dëshmohet se institucionet publike në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit kanë qenë shumë pasive.

Përgjatë periudhës raportuese gjykatat e rregullta komunale të Kosovës kanë zgjidhur gjithsej 30 lëndë: 15 në kuadër të Shpërdorimit të Pozitës Zyrtare, 4 në kategorinë Marrje e Ryshfetit dhe 11 në Dhënie të Ryshfetit. Në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pazgjidhura 183 lëndë: 118 në kategorinë Shpërdorim i Pozitës Zyrtare, 45 në kategorinë Marrje e Ryshfetit dhe 20 në Dhënie të Ryshfetit. Gjatë këtij harku kohor gjykatat kanë trashëguar gjithsej 173 lëndë: 126 nga kategoria Shpërdorim i Pozitës Zyrtare, 26 nga kategoria Marrja e Ryshfetit dhe 21 nga kategoria Dhënia e Ryshfetit. Gjatë kësaj kohe gjykatat kanë pranuar në punë gjithsej 40 lëndë: 7 në kategorinë Shpërdorim i Pozitës Zyrtare, 23 në kategorinë Marrje e Ryshfetit dhe 10 në kategorinë Dhënie e Ryshfetit. Ndërkaq si lëndë në punë që janë në proces të shqyrtimit janë gjithsej 213: 133 në kategorinë Shpërdorim i Pozitës Zyrtare, 49 në Marrje të Ryshfetit dhe 31 në kategorinë Dhënie e Ryshfetit.

Sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK),
rezulton se për kategorinë Shpërdorim të Pozitës Zyrtare ose autorizimit, 23 raste janë nën hetime, 25 raste janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur, 5 raste janë dërguar me raport në Prokurori, 11 janë arrestuar dhe ndaj 58 të dyshuarve është ushtruar kallëzim penal. Për kategorinë Marrje të Ryshfetit, 2 raste janë nën hetime, 6 raste janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur dhe kundër 1 të dyshuari është ngritur kallëzim penal. Në kuadër të kategorisë Dhënie Ryshfeti, 4 raste janë dërguar në prokurori me kryerës të njohur, po për këtë vepër penale janë arrestuar 5 persona dhe kundër 4 të dyshuarve tjerë është ushtruar kallëzim penal. Gjatë këtij tremujori Policia e Kosovës, ka konfiskuar 19,700.00 Euro, 980,300.00 dollarë si dhe çeka në vlerë 2,300,000.00 euro.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) gjatë këtij tre mujori ka qenë e fokusuar në nxjerrjen e dy raporteve analitike:a) “Analizë mbi ndjekjen dhe gjykimin e rasteve korruptive në Kosovë”; dhe b) “Raportin për rastet e iniciuara për mos deklarim të pasurisë dhe sanksioneve”.
Qeveria e Kosovës përgjatë këtij intervali kohor ka nxjerrë gjithsej 97 vendime. Nga këto vendime vetëm 2 kanë qenë të ndërlidhura direkt apo indirekt me luftimin e korrupsionit në vend: a) Përfshirja e Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Korrupsion 2012-2016 në Planin e Dokumenteve Strategjike 2012; si dhe b) Aprovimi i projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Kuvendi i Kosovës nuk është treguar aspak produktiv në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Nga 8 seanca plenare sa ka mbajtur gjithsej, në asnjërin prej tyre nuk është diskutuar për shkallën e korrupsionit në institucionet publike, duke u shënuar si institucioni më pasiv në luftë kundër korrupsionit.

Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë link: http://levizjafol.org/images/uploads/files/Monitoruesi_i_korrupsionit_%28Korrik_Gusht_Shtator%29.pdf