Zyra e Prokurimit në Komunën e Mitrovicës, asnjë lëndë në Gjykatë të tenderëve

Mitrovicë, 01 dhjetor, 2015. Lëvizja FOL me përkrahjen e Civil Rights Defenders, ka mbajtur sot tryezën e tretë me radhë për Prokurimin Publik, e cila u mbajt në Mitrovicë. Në këtë tryezë panelist ishin Zyrtari i Prokurimit, z.Avdi Musliukaj, Udhëheqësi i Komitetit për Politikë dhe Financa, z.Bislim Imeri. Në anën tjetër pjesëmarrës ishin edhe Drejtori i sapo emëruar i Prokurimit në Komunën e Mitrovicës, z.Jeton Ukaj, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mediave.

 
Nora Bajrami nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Mitrovicës. Ajo tha se, ky raport është një përmbledhje e të dhënave statistikore dhe përmbajtësore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Mitrovicës ku përfshihen numri i aktiviteteve të prokurimit që Komuna ka iniciuar, duke përfshirë njoftimet për dhënie të kontratës,njoftimet për anulim dhe të dhënies së kontratës të publikuara nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) si dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Sipas saj, Komuna e Mitrovicës, respektivisht zyra e prokurimit në periudhën 01 Janar 2015 – 31 Tetor, 2015 ka shpallur gjithsej 25 Njoftime për Kontratë, 53 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 5 Njoftime për Anulimi, si dhe 0 Anulime të Dhënies së Kontratës. Ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, OSHP gjatë kësaj periudhë kohore, si organ i autorizuar dhe i obliguar me Ligjin për Prokurim Publik për shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve dhe ankesave lidhur me aktivitetet e Prokurimit Publik në institucione publike, ka marrë vetëm një vendim lidhur me aktivitetet e prokurimit ku autoriteti kontraktues ka qenë Komuna e Mitrovicës dhe ky vendim ka qenë si pjesërisht i bazuar kundër autoritetit kontraktues, Komunës së Mitrovicës.

 

Z. Avdi Muzliukaj, Zyrtarë i Prokurimit Publik në Komunën e Mitrovicës, tha se si rezultat i punës dhe profesionalizmit që ka zyra e prokurimit në këtë komunë s’kemi asnjë vendim që është marrë kundër Komunës sonë nga OSHP-ja. Ai më tej tha se, në komunën e Mitrovicës janë 6 zyrtarë të prokurimit, të cilët janë që të gjithë të certifikuar. Por ai tha se problemi qëndron tek Ligji i Prokurimit Publik, i cili ka mangësi të shumta. Një ndër problemet e këtij ligji është përparësia e ofertave me çmim më të lirë, poashtu me ligjin tonë nuk kemi të drejtë të bëjmë publike disponueshmërinë e mjeteve. Në anën tjetër nëse jepet një tender i caktuar, komuna jonë nuk ka ekspert të cilët e mbikëqyrin punën, sidomos ne si komunë kemi mungesë të inxhinierëve dhe arkitektëve.

 

Jeton Ujkani, Drejtor i Prokurimit në Komunën e Mitrovicës tha se, edhe pse sapo e kam marrë mandatin e drejtorit, pavarësisht sfidave nëpër të cilat po kalojmë, deri më tani nuk kemi pas ndonjë problem të theksuar.
Kryesuesi i Komitetit për Politika dhe Financa, z.Bislim Imeri tha se zyra e prokurimit në komunën e Mitrovicës raporton në baza tre mujore, fillimisht kur të përgatisin planin e punës, pastaj duke vazhduar në raportim të rregullt të punës të cilën e bënë kjo zyrë.