Zbatimi i Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kosovë
Prishtinë, 28 maj 2025 – Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, organizuan tryezë të rrumbullakët me rastin e publikimit të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”.
Ky raport është rezultat i një hulumtimi të përbashkët i cili përfshin monitorimin e 100 seancave gjyqësore dhe analizimin e 200 vendimeve gjyqësore, dhe nxori në pah një nivel të ulët të aplikimit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Sa i përket seancave gjyqësore, jurisprudenca e GjEDNj-së është përmendur vetëm në dy raste një rast civil dhe një penal, dhe në të dyja rastet, ajo është përmendur nga vetë gjyqtarët.
Në aspektin e vendimeve gjyqësore, raporti vë në dukje se aplikimi më i shpeshtë i jurisprudencës së GjEDNj-së gjendet në rastet civile (18.7%), ndërsa përqindja është më e ulët në rastet administrative (10%) dhe ato penale (8.7%).
Raporti thekson se rëndësia primare për zbatimin e jurisprudencës së GjEDNj-së shfaqet tek gjykatat, përkundër faktit se zbatimi i jurisprudencës së GjEDNJ-së është obligim për të gjitha institucionet.
Gjithashtu u publikua raporti me një përmbledhje vendimesh relevante të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), të cilat kanë rëndësi të veçantë për kontekstin ligjor dhe praktikën gjyqësore në Kosovë. Qëllimi i raportit është të shërbejë si një mjet referimi për gjyqtarët dhe prokurorët në kuptimin dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, siç janë interpretuar nga GjEDNj. Përmes interpretimit të rasteve të përzgjedhura, raporti ofron një pasqyrë të praktikës gjyqësore evropiane në fusha kyçe, si: e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor, e drejta për mbrojtje efektive, liria e shprehjes, mbrojtja e pronës dhe barazia para ligjit.
Pjese e tryezës së diskutimit ishin përfaqësues nga sistemi i drejtësisë, komuniteti ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile në vend.