Vlera Hetemi – Fituese e vendit të tretë në Garën e Esesë kundër Korrupsion nga Lëvizja FOL
Vendin e tretë në garën për Esenë më të mirë kundër korrupsion e fitoi Vlera Hetemi. Esenë e Vlerës mund ta lexoni më poshtë.
Vlera Hetemi
ESE KUNDËR KORRUPSIONIT
Korrupsioni është ndër përshkruesit më emblematikë të shekullit të 21-të, menjëherë pas zbulimeve teknologjike. Fatkeqësisht, një fenomen i tillë është krimbi i cili ha trungun nga brenda apo është ngulfatës i cfarëdo prosperimi eventual të një shteti, meqenëse korrupsioni si fenomen bën vetëm rishpërndarjen (dhe jo krijimin) e vlerave, të krijuara brenda një shoqërie, tek të pasurit dhe rrethi i tyre, fatkeqësisht mbi barrën e më të varfërve që paraqesin një shumicë.
Nuk ka as edhe një shtet të vetëm në botë, i cili nuk përballet me cilëndo nga format e korrupsionit në një dozë të caktuar, ku kjo shumë thjeshtë mbështetet nga fakti se mbi 6 miliardë njerëz në botë jetojnë në vende të cilat kanë problem serioze me korrupsion (Transparency International, 2015). Apo shikuar në aspekt shtetesh, mbi 68% e vendeve janë të ngulfatura nga ky fenomen, apo thuajse se cdo person është i përfshirë në cfarëdo lloj akti korruptiv qoftë si shkelës, dëshmitar apo raportues.
Kur dikush flet mbi korrupsionin, fatkeqësisht ne kemi në mendje vetëm termet si ‘vjedhje’,
‘shpërlarje parash’ ose forma tjera të ngjashme më të përhapura të tij. Fuqimisht mendoj se nëse korrupsionin e limitojmë vetëm në këto trajta të shfaqjes së tij, atëherë ne nuk mund të gjejmë zgjidhje për korrupsionin sepse nuk e kemi definuar akoma mirë atë si problem.
Ky fenomen, në shoqërinë tonë është në thelb të shumë prej proceseve, duke filluar nga rastet minore, kur në shkolla prindërit “korruptojnë” mësuesit e fëmijëve të tyre (duke ju blerë atyre dhurata të shtrenjëta), vetëm në mënyrë që mësuesi/ja ta ketë më për qejf fëmiun e tyre, e deri në nivelin e keqpërdorimit të parasë publike në nivel kombëtar.
Edhe pse de jure ekzistojnë një mori ligjesh të cilat definojnë sanksionet për korrupsion apo edhe shumë shkelje tjera, si duket tek ne është më se evidente thënia se “Rregullat janë bërë për tu thyer”, e vecanërisht nga ata të cilët i kanë përpiluar ato. Apo ndoshta në anën tjetër pikërisht këto rregullativa aq të rënduara me legjislacion, janë të papërballueshme për kapacitetin, fatkeqësisht të ulët, të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në anën tjetër, pikërisht ky sistem i dobët i drejtësisë është ndër shkaktarët të cilët lënë aq shumë hapësirë për korrupsion. Vëjeni rastin mbi vete…imagjinoni se keni performuar cfarëdo akti korruptiv, mirëpo në anën tjetër ka lëndë të tëra që janë duke pritur në rend nëpër gjykata me vite të tëra e madje edhe për cështje shumë më të mëdha, a do të ishin gjasat e mëdha që ju të mos brengoseshit shumë për një akt të tillë duke marrë parasysh gjendjen e këtij sistemi? Apo, në një skenar edhe më të keq, a mendoni se dikush do të kishte guximin apo edhe iniciativën që të raportonte një rast të tillë në autoritetet gjyqësore, duke marrë për bazë situatën e përshkruar më sipër? Rrjedhimisht, nëse askush nuk do ta raportonte rastin, a nuk do ta përsërisnit ju një akt të tillë korruptiv?!
Arsyeja se ndoshta pse ekziston përceptim kaq i lartë për korrupsionin, është sepse janë shumë të dukshme frutet e hidhura të tij, ngase korrupsioni është shumë më shumë se sa ajo cfarë ne kuptojmë me termin ‘korrupsion tradicional’. Ai në një farë mënyre degëzohet duke i prekur së pari të gjitha institucionet, komunitetet e pastaj edhe neve si individë, duke u shfaqur në trajta të ndryshme.
Kërkon logjikë shumë të thjeshtë që të kuptohet pse ekziston një përceptim aq i lartë për korrupsionin. Mendojeni edhe ju vetë…jemi një shtet me rreth 1.9 milionë banorë, nga të cilët shkalla e papunësisë është rreth 35% që është më e larta në rajon, ndërsa tek të rinjtë 61% (UNDP Kosovo, 2016), përderisa në anën tjetër kemi persona të cilët mbajnë mbi tre ose katër poste publike me paga marramendëse. Korrupsioni, pra efektet e tij i ka edhe në formë të papunësisë; burokracisë; konkurrencës jo të drejtë në treg e cila rrjedhimisht destimulon hyrjen e bizneseve të reja por edhe operimin e atyre ekzistuese, i cili fakt rrjedhimisht ndikon edhe në papunësinë e cila u përmend më herët; mungesës së cilësisë së shërbimeve publike qofshin ato në shëndetësi, kulturë, arsim, infrastrukturë etj; vjedhje, pandershmëri, humbje të pasurisë publike, shfrytëzim, mashtrim, skandal, neglizhencë e përgjegjësive etj. Të gjitha këto së bashku sjellin situatën aktuale jo të kënaqshme shoqërore, të cilat në rrënjët e tyre si shkaktar kanë korrupsionin. Pra, ajo se cfarë ne duhet të arrijmë të kuptojmë është se korrupsioni nuk është si efekt anësor i papunësisë apo problemeve tjera me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri, por përkundrazi është shkaktari rrënjësor i këtyre problemeve.
Madje, ky fenomen vazhdimisht mund ti thellojë rrënjët për shkak të rritjes së lakmisë së njeriut ndaj parave, pushtetit dhe pozitës dhe ai nuk mund të trajtohet deri sa ligjet dhe rregullativat të vihen në implementim dhe shoqëria civile dhe mediat të jenë plotësisht të lira.
Qasja aktuale ndaj korrupsionit në Kosovë nuk është e duhur, ngase ka një tendencë për të adresuar problemet e korrupsionit me strategji kombëtare dhe plane të veprimit të cilat, në praktikë, duken më shumë si fontanë dëshirash se sa plane praktike të arritshme të cilat prioritizojnë zgjidhjen e problemeve me hapa konkretë.
Në një anë, ekziston legjislacion anti-korrupsion i mjaftueshëm, por zbatimi i tij në praktikë ka mbetur shumë prapa, ku të gjitha përpjekjet e bëra në dekadën e fundit për të zvogëluar këtë hendek ose nuk janë zbatuar ose nuk adresojnë çështjet në fjalë.
Përderisa ka shumë institucione që luftojnë korrupsionin, sfida kryesore mbetet bashkimi i përpjekjeve për ta luftuar atë. Por cka është shumë shqetësuese, është se ka një mungesë të bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe akterëve të përfshirë në luftën kundër korrupsionit, ku pavarësisht një sërë nismash të izoluara anti-korrupsion, përgjegjshmëria institucionale dhe integriteti në vend janë shumë të ulëta.
Një hulumtim nga Kosova Democratic Institute, gjen se në mënyrë të veçantë, partitë politike, ndërmarrjet në pronësi shtetërore dhe qeveria janë sektorët me nivelin më të ulët të integritetit në lidhje me tolerancën ndaj korrupsionit. Kjo konfirmon supozimin se politika dhe qeveria, ku pushteti politik dhe financiar është përqendruar dhe nga e cila degëzohet në sektorë të tjerë, janë në qendër të problemit të progresit të kufizuar kundër korrupsionit së bashku me mungesën e përgjithshme të vullnetit politik për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit, megjithatë, paraqesin modele të suksesshme të integritetit me një potencial për të luftuar korrupsionin administrativ. Këto dy institucione pastaj përcillen nga Agjencia Kundër Korrupsionit, mediat dhe policia, në aspektin e niveleve të larta të integritetit (Kosova Democratic Institute, 2015).
Në mënyrë që të zvogëlohet korrupsioni në mënyrë efektive dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, atëherë nevojitet involvimi i secilit nga akterëve në shoqërinë tonë, qofshin ata/ato qytetarë të thjeshtë – të cilët duhet të jenë aktiv në raportimin e rasteve të korrupsionit, media – të cilat duhet të luajnë rol kyq në vetëdijësimin e shoqërisë rreth këtij fenomeni, institucione shtetërore dhe/ose shoqëria civile – të cilat duhet të jenë shumë aktive në mbështetjen dhe implementimin e iniciativave anti-korrupsion, trupat e huaj – të cilët duhet të jenë aktivë në monitorimin e trendit të zhvillimit të kësaj dukurie dhe mënyra tjera të ndryshme të involvimit. Pra duhet një qasje gjithpërfshirëse në luftimin e korrupsionit e cila duhet të fillojë nga poshtë-lart.
Poashtu, në nivel institucional duhet të forcohet bashkëpunimi ndër-institucional në luftimin e korrupsionit, në mënyrë që të mos lejohet thyerja e hallkës në ciklin e luftës anti-korrupsion. Gjithashtu duhet të ngriten kapacitetet e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit, veçanërsisht këtu duhet të theksohet nevoja për një mekanizëm të brendshëm të kontrollit i cili duhet të jetë i pavarur. Së bashku me këto masa, duhet edhe që t’iu ipet më shumë fuqi institucioneve të cilat parandalojnë apo luftojnë korrupsionit, qofshin këto institucione apo iniciativa nga shoqëria civile.
Nëse të gjithë këta akterë të lartpërmendur, nuk ndërmarrin masa serioze në lidhje me trajtimin e korrupsionit, jo vetëm që do të vuajë vendi në drejtim të stabilitetit politik dhe financiar, por sidomos qytetarët e rëndomtë të Kosovës do të goditen më së shumti nga efektet anësore të tij.
Mbi të gjitha, është vullneti politik institucional i cili është vendimtar në këtë cikël. Nëse institucionet nuk bëhen pjesë e zgjidhjes, atëherë ato do të mbeten vetë problemi.
Bibliografia
Kosova Democratic Institute. (2015). National Integrity Asessment – Kosovo.
Transparency International. (2015). Corruption Perceptions Index 2015.
UNDP Kosovo. (2016). Kosovo Human Development Report 2016.