Turneu i debatit “Karl Popper” – “Prishtina Open 2012”
Prishtinë, 8-9 dhjetor – Lëvizja FOL ka organizuar për të shtatën (7) herë me radhë Turneun e Debatit “Karl Popper” ‘Prishtina Open’, i cili është mbajtur me 8-9 dhjetor, në Gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Në këtë turne pjesëmarrës ishin rreth 100 nxënës të shkollave të mesme nga shtatë(7)komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Malishevë, Mitrovicë, Gjakovë, Podujevë.
Ky turne ishte më shumë përgatitor për turneun e kombëtar të radhës që do të mbahet në muajin shkurt, ku fituesit do ta përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare të debatit, që këtë vit mbahen në Irlandë.
Gjatë ditës së shtunë me 08 dhjetor, për gjatë tre raundeve të debatit janë ballafaquar 21 skuadra nga shtatë komuna të Kosovës. Ndërkaq, çerekfinale, gjysmëfinalja dhe finalja e debatit janë mbajt të dielën. Në gjysmëfinale kanë arritur katër ekipe të cilat kanë grumbulluar më shumë pikë në bazë të vendimeve tw gjyqtarëve. Gjysmëfinalistë të këtij debati ishin NEMO dhe iHithat nga komuna e Prishtinës, ATA 3 nga komuna e Ferizajit dhe Babylon nga komuna e Mitrovicës. Ekipet NEMO dhe iHithat arritën të kualifikohen në finale ku fitues dolën skuadra NEMO.
Gjyqtarë të këtij turneu ishin ish-debaterë të cilët më parë kanë marrë pjesë në debate të formatit “Karl Popper”. Ekipi i gjyqtarëve të cilët e gjykuan finalen e këtij turneu, shpallën fitues të këtij turneu skuadrën Nemo nga Prishtina.
Katër rezolutat për të u cilat debatua në këtë turne ishin tema rreth të miturve, ku dy nga këto rezoluta ishin me kohë të limituar përgatitjeje ndërkaq për dy rezolutat tjera debaterët kanë pasur mundësi të përgatiten më herët.
Rezoluta e parë ishte: “Maturantët nuk duhet ti nënshtrohen testit të maturës”
Rezoluta e dytë ishte: “Lënda e Edukatës Seksuale duhet te aplikohet ne shkolla te mesme”
Rezoluta e tretë ishte: “Mësimdhënësve duhet tu hiqet e drejta për mbajtur grevë”
Rezoluta e katërt ishte: “Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë shkolla të veçanta”
Lëvizja FOL me mbështetjen e Fondacionit SOROS/KFOS që nga Korrik i vitit 2009 ka rikthyer klubet e para të debatit në Prishtinë, Ferizaj dhe Pejë. Pas një viti klubet e debatit janë zgjeruar edhe në tri komuna të reja, në Mitrovicë, Malishevë dhe Suharekë, duke vazhduar më pas edhe me komunat tjera si Gjakova, Podujeva, Prizreni.
Aktualisht në Kosovë kemi 9 klube të debatit në 9 komunat përkatëse, ku numri i debaterëve që vijnë nga shkollat e mesme të qytetit po rritet vazhdimisht. Ndërkaq, në klubin e debatit të qytetit të Ferizajt tashmë janë formuar edhe ekipe me debaterët të komunitetit RAE, e poashtu edhe një ekip vullnetar nga komuna e Vitisë.
Programi i debatit mbështet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.