Tryezë në Lipjan: “Parandalimi i Konfliktit te interesit në institucionet publike”
Lipjan, 27 janar 2010 ” Lëvizja FOL ka vazhduar debatin me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike” edhe në komunën e Lipjanit. Të ftuar në këtë debat ishin përfaqësues të asamblesë komunale, përfaqësues të shoqërisë civile qytetar dhe mediat. Ndërkaq panelist në këtë tryezë ishin Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL dhe Halit Gashi, drejtor i administratës në Komunën e Lipjanit.
Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, tha se ky është debati i katërt që po e mbajmë më ketë temë nëpër komuna të Kosovës. “Qëllimi ynë është të debatojmë për ligjet siç është ky, në mënyrë që të filloj të zbatohet, por edhe të plotësohet me rregullore komunale që brenda institucioneve publike të mos ketë konflikt interesi”. Sipas Zogajt, Komuna e Lipjanit i ka gjasat më të mëdha për ta parandaluar konfliktin e interesit tash në fillim të qeverisjes së re.
Halit Gashi, drejtor i administratës në Komunën e Lipjanit ” tha ky ligj është një bazë e mirë në të cilin mund të nisemi në parandalimin e konfliktit të interesit. “Edhe para aprovimit të këtij ligji, kanë qenë rregulloret e UNMIK-ut që e kanë përfshirë pak a shumë konfliktin e interesit por jo në nivelin që e përfaqëson ky ligj, me gjithë mangësit që ka. Ndonëse për zbatimin e këtij ligji kompetente është agjencia anti korrupsion, mirëpo mendoj se nuk duhet të jetë vetëm agjencioni i përfshirë këtu por të gjitha institucionet”, tha Gashi. Sipas tij edhe Ligji për vetëqeverisje lokale i ka disa dispozita ku e specifikon konfliktin e interesit. “Edhe statuti që është nxjerr në bazë të këtij ligji e ka rregulluar çështjen e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik”. Sipas Gashit kanë qenë dy raste në komunën e Lipjanit ku është paraqitur konflikti i interesit. “Kemi pasur dy raste, ku njëri ishte një këshilltar komunal, i cili konkurroj edhe për kryeshef të ekzekutivit, mirëpo ai u largua në momentin kur u votua ajo qështje. Ndërkaq rasti i dytë është dorëheqja e një anëtari të zgjedhur, për të mbajtur një post të shërbyesit civil” . Gashi tha se në komunën e Lipjanit funksionon shumë mirë trekëndëshi mes komunës, Agjencionit dhe Prokurorisë.
Xhavit Dakaj, udhëheqës i personelit në Komunën e Lipjanit, tha se ka pasur edhe raste tjera, kur anëtari i komisionit në rastin konkret është tërhequr nga vendimi për shkak të interesave që ka pasur. Rastet e tilla tek ne kanë vështirësi të prezantohen pasi që po ka ndikim pastaj te ai person. “Ka pas rast kur një zyrtar komunal s”ka pas të drejtë të nënshkruaj një vendim dhe ai e ka bërë këtë, dhe ka hesht. Kështu që opinioni nuk ka arritur të kuptoj krejt atë që ka ndodhur”.
Lumturije Bytyqi, këshilltare nga AKR-ja, tha se për të fituar një vend pune duhet të jesh ose nga radhët e partisë në pushtet, ose me qenë e afërt e drejtori ku konkurron. “Nëse një qytetar reagon ai do ti bëj vetëm keq vetës, sepse në të ardhmen nuk do të gjej punë askund. Po ashtu edhe te caktimi i tenderëve, fitojnë ata që ia mbushin xhepat më shumë komunarëve”.