Trajnim me studentë për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit

Prishtinë, 25-26 Qershor 2016 – Lëvizja FOL ka mbajtur trajnimin dy ditor kundër korrupsionit me studentët e Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Politike. I ftuar për të diskutuar rreth kësaj teme ishte z. Admir Shala – Prokuror Special dhe mbi 20 studentë të përzgjedhur në mesin e 250 kandidatëve.
Prokurori në fillim ka shpjeguar për punën që bën Prokuroria dhe veprat që i trajtojnë duke theksuar kështu se korrupsioni është një nga problemet e mëdha dhe aktuale me të cilat kjo prokurori merret.

“Barrierat per luftimin e korrupsionit janë ende të mëdha, frika për humbjen e punës është gjithashtu prezente. Kosova ka përqindje më të madhe të korrupsionit në krahasim me vendet e tjera në rajon dhe Europë dhe kjo ka ndikuar konsiderueshëm në zhvillim të vendit”, tha ai.

Gjithashtu, në këtë trajnim është diskutuar edhe për rolin e madh që e kanë mediat për luftimin e korrupsionit në informimin dhe mobilizimin e qytetarëve mbi korrupsionin, rritjen e presionit publik, publikimin e punës së prokurorit dhe suksesit të tyre.

“Kemi krizë të ligjeve vendore kundër korrupsionit të cilat janë keqkuptuar” – ka thënë ndër të tjera Prokurori, duke shtuar se vullneti politik është shumë i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit.

Ndërkaq, në ditën e dytë studentët janë angazhuar përmes pyetjeve në raste konkrete të korrupsionit ku aspekti teorik ngërthehet me atë praktik.
Prokurori z. Admir Shala ka vazhduar me shpjegimin e teknikave dhe metodave hetimore të rasteve korruptive në veçanti ka permendur hetimet financiare tek veprat e korrupsionit dhe vështirësitë të cilat Prokuroria në Kosovë ballafaqohet gjatë hetimeve.

Në fund të trajnimit janë shpërndarë çertifikatat për pjesëmarrësit.

Ky trajnim u mundësua me përkrahjen e UNDP dhe Ambasadës Holandeze.

 

trajnimi trajnimi1