Thirrje për Aplikim: “Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë” – 2026
Thirrje për Aplikim
Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë (2026)
Mbrojtja dhe përfaqësimi ligjor pranë gjykatave të larta vendore dhe ndërkombëtare
14–17 Maj 2026
Innovation and Training Park (ITP), Prizren
Drejtuar:
Studentëve të drejtësisë, të sapo diplomuarve dhe profesionistëve të rinj ligjorë.
A jeni jurist i sapo diplomuar apo student i drejtësisë në dy vitet e fundit të studimeve?
A keni synim që në karrierën tuaj të fokusoheni në mbrojtjen dhe përfaqësimin ligjor para gjykatave të larta vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ)?
Jeni të interesuar të diskutoni në mënyrë interaktive dhe praktike aspekte të mbrojtjes gjyqësore strategjike, të drejtave të njeriut dhe standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)?
A dëshironi të bëheni pjesë e një aktiviteti trajnues dhe rrjetëzues me ekspertë dhe praktikues të ligjit: avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të gjykatave të larta?
Nëse po, atëherë:
Lëvizja FOL ka kënaqësinë të njoftojë hapjen e aplikimeve për Akademinë e Juristëve të Rinj në Kosovë, që këtë vit organizohet për herën e tretë. Akademia 2026 do të mbahet nga data 14 deri më 17 Maj 2026, në Innovation and Training Park (ITP) në Prizren, dhe do të jetë e përqendruar në temën “Mbrojtja dhe përfaqësimi ligjor pranë gjykatave të larta vendore dhe ndërkombëtare”.
Rëndësia e tematikës në kontekstin aktual të sundimit të ligjit në Kosovë:
Tematika e këtij viti merr rendësi të veçantë në dritën e zhvillimeve të fundit në sundimin e ligjit në Kosovë. Aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës shënon një hap historik, i cili hap perspektivën që në të ardhmen jo të largët Kosova të bëhet palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe që qytetarët e saj të kenë qasje individuale në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) pas shterimit të mjeteve juridike vendore. Në këtë kontekst, ngritja e kapaciteteve të juristëve të rinj për të argumentuar çështje kushtetuese dhe të drejtave të njeriut, për të ndërtuar strategji të mbrojtjes dhe për të zbatuar standardet e jurisprudencës së GJEDNJ-së bëhet një domosdoshmëri profesionale dhe një shtyllë e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut në rendin vendor.
Programi:
Programi i Akademisë do të trajtojë ndaras gjatë katër ditëve segmente të ndërlidhura si: shkrimi dhe arsyetimi ligjor në kontekst të mbrojtjes gjyqësore strategjike; bazat dhe metodologjia e litigimit strategjik për mbrojtjen e sundimit të ligjit; e drejta e lirisë dhe e sigurisë sipas nenit 5 të KEDNJ-së dhe nenit 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; kriteret e pranueshmërisë dhe mbrojtja gjyqësore pranë GJEDNJ-së; e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe nenit 31 të Kushtetutës; liria e shprehjes; mbrojtja kushtetuese sipas nenit 113.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe roli i shoqërisë civile në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Në ditën e fundit, pjesëmarrësit do të marrin role aktive në një rast gjyqësor të simuluar, duke zbatuar në praktikë njohuritë e fituara.
Ligjëruesit:
Të gjitha temat do të trajtohen nga ekspertë dhe praktikues të ligjit, duke përfshirë avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të gjykatave të larta të vendit, të cilët sjellin përvojë të drejtpërdrejtë nga praktika vendore e jurisprudenca e GJEDNJ-së. Metodologjia është ndërtuar në mënyrë që sesionet të jenë interaktive, të bazuara në raste konkrete dhe në argumentim të drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit.
Akademia synon t’u ofrojë juristëve të rinj një platformë ndërvepruese për të avancuar aftësitë e tyre ligjore në nivel praktik, për të fituar njohuri të thelluara mbi litigimin strategjik dhe mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe për të ndërtuar ura rrjetëzimi me profesionistët e sistemit të drejtësisë.
Kriteret për aplikim dhe pjesëmarrje:
- Studentë të drejtësisë në dy (2) vitet e fundit të studimeve ose kandidatët që janë duke ndjekur një program të nivelit Master në Kosovë.
- Të sapo diplomuarit në drejtësi, të cilët nuk kanë filluar ende karrierën e tyre profesionale ligjore, me kusht që të kenë diplomuar në studimet themelore ose master në vitin 2024 ose më vonë.
- Praktikantë ligjorë ose zyrtarë ligjorë nën moshën 25 vjeç.
Në linjë me kriteret e mësipërme, ne jemi në kërkim të individëve që tregojnë një përkushtim të fortë ndaj edukimit të tyre ligjor dhe një interes të qartë për të përmirësuar aftësitë e tyre në shkrim, hartim dhe hulumtim ligjor, si dhe për fushat që ky aktivitet synon të mbulojë.
Akademia synon të jetë një aktivitet intensiv dhe një hap i rëndësishëm në karrierën tuaj ligjore.
Për të aplikuar, ju lutemi klikoni këtu
Afati i fundit për aplikime është 3 maj 2026. Ju lutemi kini parasysh se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, prandaj inkurajojmë aplikimet e hershme. Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen me email deri më: 7 maj 2026.
Mezi presim të shqyrtojmë aplikimin tuaj dhe t’ju mirëpresim në maj për një hap të rëndësishëm në zhvillimin tuaj profesional.
Kjo akademi organizohet me mbështetjen e Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS)
Ekipi i Lëvizjes FOL