Thirrje për Aplikim: “Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë” – 2024
Thirrje për Aplikantët
Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë (2024)
Drejtuar:
Studentëve të drejtësisë, të sapo diplomuarve dhe profesionistëve të rinj ligjorë.
A jeni jurist i sapo diplomuar apo student i drejtësisë në vitin e fundit të studimeve?
A keni synim që në karrierën tuaj të fokusoheni në drejtësinë penale si prokuror, gjyqtar apo avokat i fushës penale?
Jeni të interesuar të diskutoni në mënyrë interaktive dhe praktike aspekte të ndryshme të një procesi penal?
A dëshironi të bëheni pjesë e një aktiviteti trajnues dhe rrjetëzues me profesionistë të fushës penale dhe të drejtave kushtetuese në procedurën penale?
Nëse po, atëherë:
Lëvizja FOL ka kënaqësinë të njoftojë hapjen e aplikimeve për Akademinë e Juristëve të Rinj në Kosovë, që do të organizohet për herë të dytë radhazi. Këtë vit, Akademia e Juristëve të Rinj do të mbahet nga data 16 deri më 19 Shtator 2024.
Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë organizohet në kuadër të Projektit për Rritjen e Transparencës dhe Edukimin e të Rinjve në Sektorin e Drejtësisë, mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).
Këtë vit, Akademia do të fokusohet në procedurën penale. Ekspertë dhe profesionistë të njohur do të trajtojnë segmente të ndryshme të procesit penal, nga faza e hetimeve deri te aktgjykimi përfundimtar. Programi përfshin sesione gjithëpërfshirëse mbi shkrimin ligjor, etikën profesionale, të drejtën penale materiale dhe procedurale, si dhe raste të simuluara që përfshijnë elemente nga hetimet deri te trajtimi gjyqësor përfundimtar i rastit. Të gjitha këto tema do të trajtohen nga një perspektivë interaktive dhe dinamike, me përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe ekspertëve të tjerë të fushës.
Akademia synon gjithashtu të ofrojë një platformë të gjerë dhe ndërvepruese për juristët e rinj që të avancojnë në nivel praktik aftësitë e tyre ligjore, të fitojnë njohuri më të thelluara mbi drejtësinë penale dhe të rrjetëzohen me profesionistë të fushës.
Kriteret për aplikim dhe pjesëmarrje:
Kjo thirrje është e hapur për:
• Studentë të drejtësisë në vitin e fundit të studimeve ose kandidatët që janë duke ndjekur një program të nivelit Master në Kosovë.
• Të sapo diplomuarit në drejtësi, të cilët nuk kanë filluar ende karrierën e tyre profesionale ligjore, me kusht që të kenë diplomuar në studimet themelore (në vitin 2022 apo më vonë ose master në vitin 2023 apo më vonë.
• Praktikantë ligjorë ose zyrtarë ligjorë nën moshën 25 vjeç.
Në linjë me kriteret e mësipërme, ne jemi në kërkim të individëve që tregojnë një përkushtim të fortë ndaj edukimit të tyre ligjor dhe një interes të qartë për të përmirësuar aftësitë e tyre në shkrim, hartim dhe hulumtim ligjor, si dhe për fushat që ky aktivitet synon të mbulojë.
Akademia synon të jetë një aktivitet intensiv dhe një hap i rëndësishëm në karrierën tuaj ligjore.
Për të aplikuar, ju lutemi klikoni këtu:
Afati i fundit për aplikim është 06.09.2024. Ju lutemi kini parasysh se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, prandaj inkurajojmë aplikimet e hershme. Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen me email deri më: 10.09.2024
Mezi presim të shqyrtojmë aplikimin tuaj dhe të ju mirëpresim në shtator për një hap të rëndësishëm në zhvillimin tuaj profesional.
Ekipi i Lëvizjes FOL