Të ndarë në luftën kundër korrupsionit

Lëvizja Fol, në raportin e monitorimit të aktiviteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit, gjatë muajit qershor, ka vlerësuar se vendësit mbesin të ndarë kur është në pyetje lufta kundër korrupsionit.

Jeta Bajrami, koordinatore e projektit Monitoruesi i korrupsionit deklaroi në një konferencë për media se ndërkombëtarët adresojnë këtë çështje në raportet/vlerësimet e tyre të përvitshme dhe qëndrimet deklarative. Bashkimi Evropian me Raportet e Progresit, e Departamenti Amerikan i Shtetit me raportet periodike për çështje të veçanta, mbesin vërejtjet publike që Kosova i merr pothuajse rregullisht viteve të fundit. Ndërsa raportet e organizatave jo qeveritare ndërkombëtare për Kosovën, kanë qenë të vazhdueshme dhe shpesh herë më të ashpra në adresimin e korrupsionit”.

Sipas Bajramit, vendasit mbeten të ndarë në qasjen për korrupsionin dhe luftën kundër tij. Përderisa pushtetarët zotohen për “zero tolerancë korrupsionit dhe krimit të organizuar”, opozita adreson të kundërtën, duke e cilësuar “qeverinë ” koka e korrupsionit”. “Qëndrimet e tyre për çështjen në fjalë ndryshojnë me ndërrimin e pushtetit, e bashkë me të edhe rolet e tyre. Përgjatë qeverisjes nën administrimin e UNMIK-ut, dhe pas shpalljes së pavarësisë, publiku kosovar në rolin e spektatorit ka mundur të përcjell rokadën e pushtetit dhe retorikën pothuajse boshe për luftën kundër korrupsionit. Çështja e statusit, e më pas bërja e shtetit, janë shndërruar Atutë kryesore pas të cilave politikanët kosovarë janë fshehur vazhdimisht”, tha ajo.

Armend Mazreku, zyrtar i analizimit dhe monitorimit në Lëvizjen FOL deklaroi se për periudhën Prill-Qershor 2010 në Gjyqësorin e Kosovës në kuadër të kategorisë “Shpërdorimi i Pozitës Zyrtare ose Autorizimit” nga 119 lëndë gjithsej për këtë kategori janë zgjidhur 10 dhe mbeten 109 lëndë të pazgjidhura. Sa i përket dhënies dhe marrjes së ryshfetit sipas tij, nga gjithsej 38 lëndë, vetëm 3 nga këto janë të zgjidhura.

Ai po ashtu ka thënë se Policia ka raportuar se 19 persona gjithsej janë arrestuar për periudhën Janar-Qershor 2010 për vepra të ndryshme të korrupsionit. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës 68 raste të Korrupsionit janë të dërguara në Prokurori me raport të Prokurorit.

“Kuvendi i Kosovës gjatë muajit qershor ka mbajtur katër seanca plenare. Gjatë këtyre seancave nuk është vërejtur ndonjë angazhim për të trajtuar aferat e korrupsionit ose për kërkim të llogarisë për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit”, tha Mazreku.

Sa i përket sistemit gjyqësor, ai shtoi se është bërë riemërimi i 76 gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë realizuar edhe disa takime të Kryeprokurorit dhe është premtuar reformë e thellë e sistemit gjyqësor. Edhe KGJK-ja ka publikuar Raportin e II ” tre mujor (prill-qershor) në lidhje me rastet korruptive.

“Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike ka alarmuar edhe deputetët e Bundestagu-t gjerman. Disa nga ata kanë pohuar që “paratë e qytetarëve gjermanë po investohen në vila private të politikanëve kosovarë…ndaj edhe duhet një kujdes ma i shtuar i qeverisë gjermane për të kontrolluar mjetet financiare të taksapaguesve gjermanë sesi shfrytëzohen nga institucionet e Kosovës”, tha ai.

Mazreku ka përmendur edhe Raportin e Paralajmërimit të Hershëm të UNDP-së, ku korrupsioni dhe mungesa e rezultateve në këtë luftë po shkaktojnë edhe një trend të rënies së besueshmërisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Publikimi i këtij raporti u mundësua nga USAID-i përmes Programit për fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme(Institute for Sustainable Communities). /indeksonline/