Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën prill – qershor 2023

Prishtinë, 31 korrik 2023 – Lëvizja FOL gjatë periudhës prill – qershor 2023 ka monitoruar takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të vlerësuar nivelin e transparencës dhe pajtueshmërinë e këtyre takimeve me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Procesi i monitorimi është bërë përmes platformes elektronike Zoom. Gjatë kësaj periudhe tre-mujore, KGjK ka mbajtur gjithësej 5 takime. Për muajin prill janë mbajtur 2 takime, 1 takim për muajin maj dhe për muajin qershor 2 takime.

Prej 5 agjendave të publikuara në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së, 3 nga agjendat janë publikuar në kohën e paraparë me Ligjin për Këshillin Gjyqësor, konkretisht me nenin 14 paragrafi 2 ku kërkohet që “Rendi i ditës së Këshillit do të jetë publikisht i hapur së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.” Ndërsa 2 agjenda të tjera nuk janë publikuar me kohë ashtu siç e parashikon edhe legjislacioni në fuqi.

KGjK në mbledhjet saj ka marrë disa vendime dhe se të njëjtat janë publikuar në ueb-faqen e KGjK. Për këtë periudhë kohore KGjK ka marrë 76 vendime, prej të cilave vetëm 1 nuk është publikuar në ueb faqen zyrtare të KGjK-së.

Anëtarët më aktiv gjatë mbledhjeve të KGjK-së për këtë periudhë tre-mujore, të cilët kanë dhënë më së shumti kontribut në diskutimet e zhvilluara në këto takime, ishin: Drita Rexhaj, Avni Mehmeti dhe Fahret Vellija.

Detajet e këtij monitorimi i gjeni në linkun: https://levizjafol.org/wp-content/uploads/2023/07/Monitorimi-i-Mbledhjeve-t%C3%AB-KGJK-s%C3%AB.pdf

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).