Takim me udhëheqësin e IT-së në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë (KRPP) z. Basri Dedinca

Prishtinë, 10 Shkurt 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur takim me udhëheqësin e departamentit të IT-së në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë z. Basri Dedinca.

Gjatë këtij takimi FOL u njoftua me procesin e prokurimit në përgjithësi pasi që KRPP është përgjegjëse për zhvillimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të sistemit të prokurimit publik në Kosovë, në veçanti u diskutua për procesin e prokurimit elektronik.

Dedinca na njoftoi se procesi i prokurimit elektronik ka filluar të aplikohet dhe të gjitha autoritetet janë të obliguara të bëjnë publike të gjitha kontratat.

Sa i përket E-prokurimit ai u shpreh se qëllimi i këtij sistemi është lehtësimi i punës së operatorëve ekonomik, ku ata kanë mundësi të shohin publikimin e kontratave online dhe cilësohet si sistem i sigurt.

Ai theksoi se ky sistem edhe pse tashmë ka filluar, në Prill të vitit 2017 pritet të bëhet ndryshimi i ligjit të prokurimit elektronik, dhe pse siç dihet ndryshimet e fundit të këtij ligji janë bërë në Qershor të vitit 2016. Sipas z.Dedinca në sistemin online deri më tani janë regjistruar rreth 2000 operator ekonomik, “ne kemi qenë të gatshëm të ndihmojmë kompanitë të cilat kanë kërkuar ndihmë, KRPP ka pesë linja ndihmëse për të gjithë ata që kanë hasur në pengesa gjatë regjistrimit” theksoi ai.

Një ndër problemet të cilat FOL ka hasur gjatë monitorimit të këtij procesi ishte dhe regjistrimi për personat fizik, ku FOL nuk kishte qasje në sistem. Kjo sipas z. Dedinca është bllokuar me një vendim të marrë nga KRPP-ja për arsye sepse ka pasur dy raste nga operatorët ekonomik të cilët kanë provuar keqpërdorin sistemin. Ai tha se ata ishin regjistruar si persona fizik në sistem(nga Klina dhe Peja), ndërkaq kishin provuar të dorëzojnë dosjen në mënyrë fizike duke u thirr në atë se janë tashmë në sistem.

Për shkak të evitimit të këtij problem për momentin regjistrimi në sistemin online mundësohet vetëm për operatorët ekonomik, deri në hapat e radhës që do marr KRPP-ja, ndërsa dorëzimi i ofertave në të dyja mënyrat(fizike dhe elektronike)do të bëhet deri në fund të vitit 2017.

Ndërkaq sa i përket problemit të mos përputhjes së shumave të shpenzuara me KRPP-në dhe Ministritë, ai theksoi se nga Marsi autoritetet janë të obliguara të bëjnë publike të gjitha kontratat që deri më tani nuk ishin të publikuara(përfshirë edhe ato me çmime të ulëta dhe kuotime).

 

Ky takim është  aktivitet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)