Diskutim me studentë në Prizren rreth transparencës së gjyqësorit
Prizren 13 Prill 2017 – Lëvizja FOL, si pjesë e programit “Kërko Drejtësi”, ka organizuar një tryezë diskutimi me student/e dhe qytetar/e për transparencën në gjyqësor. Panelist ishin përfaqësues nga institucionet e ndryshme që mirren me drejtësi si: Gjykata Themelore në Prizren, Prokuroria Themelore në Prizren, Oda e Avokatëve, Ministria e Drejtësisë, dhe përfaqësues të Universitetit të Prizrenit. Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin rreth 70 studentë të fakultetit juridik.
Panelistët përmes prezantimeve për punën që zhvillohet në institucionet përkatëse, arritën të shpalosin edhe idetë e tyre për transparencë më të madhe në gjyqësor. z. Skënder Çoçaj, zv. Kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren, tregoi që transparenca është kyqe për rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi. Për më tepër z. Çoçaj tregoi që bashkëpunimi i gjykatës themelore në Prizren me një organizatë jo-qeveritare ka rezultuar të jetë shumë frytdhënës në ngritjen e transparencës. Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Prizren, prokurorja Mehreme Hoxha, tregoi që numri i madh i lëndëve së bashku me mungesë të stafit përbën rrezik për ngritje të transparencës. Fitim Shporta, nga Oda e Avokatëve të Kosovës, potencoi rëndësinë që ka transparenca për institucionin që ai e përfaqëson.
Pjesëmarrësit në këtë diskutim, që kryesisht ishin studentë të fakultetit të juridik, pyetjet më së shumti i drejtuan rreth politikave të ministrisë, çështjeve specifike në gjykata, dhe transparencës së gjykatave. Studentët ishin të interesuar gjithashtu rreth mënyrës se si funksionon koordinimi ndërmjet të gjitha këtyre institucioneve.
Ky aktivitet është përkrahur nga Programi Kërko Drejtësi është i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/INL dhe e implementuar nga National Center for State Courts për të mbështetur një zhvillim të fuqishëm të kërkesës për drejtësi në Kosovë të bazuar në dëshmi. Nëpërmjet Programit Kërko Drejtësi, NCSC është duke mobilizuar partnerët e Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) për të vepruar si agjentë të ndryshimit duke nxitur llogaridhënien, transparencën dhe integritetin në sektorin e drejtësisë.