Sot sikurse gjashtë vite më parë

Prishtinë, 25 qershor 2015 – Lëvizja FOL sot shënon gjashtë vjetorin e saj të funksionimit. Sigurisht që gjashtë vite me parë nuk e dinim pasqyrën e saktë se si elita politike do t’i jepte orientim shtetit të ri. Mirëpo, ajo çfarë e kishim të qartë ishte që shteti nuk udhëhiqej siç duhej në shumë drejtime. Shteti i para disa viteve nuk tregonte vullnet për t’u bërë shtet i së drejtës. Nuk tregonte përkushtim që të ndërtojë institucione të pavarura demokratike. Nuk jepte mundësinë e gjithëpërfshirës qytetare. Nuk ishte llogaridhënës në relacion me qytetarët ndaj të cilëve kishte obligim. E shumë çështje të tjera, të cilat që prej viteve debati publik e politik është zhvilluar.

Për këto vite të funksionimit, FOL ka dhënë kontributin e çmueshëm në debatin publik mbi domosdoshmërinë e ndërtimit të institucioneve demokratike. Ka dhënë fokusin tek përgjegjshmëria e institucioneve publike përkitazi me qytetarët. Ka mobilizuar qytetarë rreth çështjeve me interes të përbashkët. Ka ndërmarrë iniciativa për të përmirësuar llogaridhënien e transparencën e institucioneve publike. Ka ndikuar direkt në ndërtimin e poltikave publike që ishin në misionin tonë.

Pashmangshëm, pas këtyre gjashtë viteve punë bëhet edhe një lloj vlerësimi i gjithë angazhimit tonë si organizatë. Në këtë rast bëhen edhe pyetje të tipit se a jemi si shtet e shoqëri më mirë sot a para gjashtë viteve. A kemi institucione të pavarura? Si funksionon sistemi i drejtësisë? A është në nivelet e duhura transparenca institucionale? Çfarë është bërë nga ne, e padyshim nga qeveritë që të kemi përfshirjen e qytetarëve në proceset e rëndësishme vendimmarrëse? A është më e përgjegjshme elita politike për këto vite apo ka degraduar më shumë? A e kemi drejtuar debatin publik ne si organizatë në linjë me interesat e qytetarëve? E shumë pyetje të tjera, e të cilat, sigurisht, një pjesë e qytetarëve i kanë  përgjigjet e gatshme. E këto përgjigje janë edhe dekurajuese. Ne, si shoqëri nuk mund të mburremi me institucionet tona. Nuk mund të themi se llogaridhënia e elitës poltike është në nivelet e pritshme. Nuk mund të themi se paraja publike po menaxhohet siç duhet. Nuk mund ta themi që kemi institucione të përgjegjshme, e hiç më pak elitë politike. Sot kemi nivele të ngjashme, në mos më të mëdha të korrupsonit, shpërdorimit, dhe të abuzimit me pushtetin.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: po të mos ishte shoqëria civile (mediat, sindikatat, institutet, ojq-të, etj.) qeverisja në Kosovë do të degradonte edhe më tej. Përgjatë këtyre viteve, shoqëria civile, e në këtë rast vetë FOL-i, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të artikuluar interesat e qytetarëve për një shtet të së drejtës dhe në shërbim të publikes. Kjo, natyrisht, nuk do të mund të arrihej pa një mbështetje të jashtëzakonshme nga mediat, të cilat i kanë dhënë zë artikulimit tonë si Lëvizje. Gjithashtu, pa mbështetjen dhe inkurajimin qytetar, i cili ka qenë vendimtar për vazhdimin e punës tonë si organizatë. Sigurisht, një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë ata që ndihmuan organizatën tonë financiarisht e teknikisht përgjatë gjithë këtyre viteve.

###