Sinjalizimi në sektorin privat – i paraparë në ligj, por i pazbatueshëm në praktikë
Lëvizja FOL, me mbështetjen e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, ka mbajtur sot punëtorinë për sinjalizimin në sektorin privat, me ç’rast u diskutua në lidhje me nivelin e zbatimit të mekanizmit të sinjalizimit në sektorin privat, si dhe u shpalosen gjetjet e analizës së Lëvizjes FOL të titulluar: “Dilemat praktiko-juridike të (pa) zbatueshmërisë së sinjalizimit në sektorin privat”, i cili vlerëson aspektin juridik dhe praktik të zbatimit të këtij mekanizmi në sektorin privat.
Drejtorja e Lëvizjes FOL, Znj. Mexhide Demolli – Nimani, tha se sinjalizimi në sektorin privat shërben si një mjet për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe shkeljet e tjera etike dhe ligjore brenda subjekteve të sektorit privat. Gjithashtu, znj. Nimani tha se ky mekanizëm përmirëson kulturën organizative të subjekteve private, duke nxitë një mjedis ku përgjegjshmëria dhe integriteti janë vlerat themelore të këtyre subjekteve.
Zv, Drejtorja e USAID KMI, znj. Afërdita Mekuli, prezantoi Aktivitetin e USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, e cila tha se synimi i aktivitetit është të luftohet korrupsioni në prokurimin publik. Gjithashtu, sipas znj. Mekuli, raporti i Lëvizjes FOL ka nxjerr shumë sfida, si mungesa e sinjalizuesve ne sektorin privat, e cila krijon një kulturë të heshtjes dhe frikës në vendin e punës.
Drejtori i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, tha se e vlerëson punën e Lëvizjes FOL në këtë fushë, në mënyrë që të fuqizohen mekanizmat e brendshëm në bizneset private.
Gjithashtu, z. Buleshkaj sqaroj strukturat dhe procedurat e sinjalizimit, duke theksuar edhe rëndësinë e këtij mekanizmi në luftimin e dukurive negative.
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, znj.Albana Hasani, e cila prezantoi gjetjet e këtij raporti analitik, tha se, edhe pse ky ligj është hartuar konform standardeve të Bashkimit Evropian, pra konform Direktivës për mbrojtjen e personave të cilët raportojnë shkelje, gjetjet e Lëvizjes FOL dëshmojnë se zbatimi i tij në sektorin privat ka hasur në sfida tejet të mëdha.
Sipas Hasanit, këto sfida kryesisht kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e përcaktimit të saktë të institucioneve kompetente për të raportuar sinjalizimin e jashtëm, duke sjell një sërë vështirësish në identifikimin e këtyre institucioneve nga ana e të punësuarve në këtë sektor. Pra sipas znj. Hasani, raportimi i jashtëm në sektorin privat duhet të bëhet tek institucionet e ndryshme, të kategorizuara sipas llojit të rastit dhe natyrës për të cilin bëhet sinjalizimi dhe ligji nuk ofron udhëzime të tjera se ku duhet të drejtohen sinjalizuesit e sektorit privat për të sinjalizuar shkeljet apo keqpërdorimet.
Znj. Hasani shtjelloj zgjidhjet ligjore të Republikës së Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në lidhje me procedurën e sinjalizimit në sektorin privat, ku tha se autoritetet kompetente për të raportuar janë të njëjta si për sektorin privat, ashtu edhe atë publik.
Gjithashtu sipas znj. Hasani, sipas të dhënave të pranuara nga Administrata Tatimore e Kosovës, aktualisht ne Kosovë operojnë 721 biznese me mbi 50 punëtore. Pra 721 biznese janë të obliguara që të caktojnë zyrtarët përgjegjës për sinjalizimin. Këto biznese, bashke me rregullatorët sipas fushave të përgjegjësisë, e kanë obligim ligjor që të përgatisin raporte vjetore lidhur me sinjalizimin për çdo vit përkatës dhe të njëjtin ta paraqesin ne Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, njëjtë sikurse institucionet publike.
Gjithashtu, znj. Hasani theksoj se në raportet vjetore të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit figuron se gjatë 3 viteve (pra gjate vitit 2020, 2021 dhe 2022) janë paraqitur vetëm 5 raporte vjetore nga subjektet e sektorit privat (3 raporte në vitin 2020, 2 në vitin 2021 dhe asnjë raport ne vitin 2022). Pra vetëm 5 biznese nga 721 sosh kane vepruar konform dispozitave te Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës në këtë punëtori, z. Vesel Zhinipotoku, tha se e vlerëson punëtorinë duke potencuar nevojën për të njohur më shumë ligjin dhe sfidat në implementim me gjithë akterët pjesëmarrës. Sipas z. Zhinopotokut, Inspektorati i Punës deri diku ka arritur që ta mbikëqyr implementimin e këtij ligji, gjithmonë brenda mundësive/kapaciteteve humane në inspektorat.
Gjithashtu, z. Zhinepotoku tha se do t`i obligojnë subjektet që parashihen me ligj, që ta caktojnë personin përgjegjës për sinjalizim dhe do ti informojnë për masa ndëshkimore. Deri më tani, inspektorati nuk ka raste që ka iniciuar procedurë ndëshkimore.
Edhe të ftuarit tjerë në këtë punëtori, si përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e rregullatorëve të përgjegjësisë, vlerësuan punëtorinë dhe shprehën përvojën e tyre dhe sfidat e tyre në lidhje me sinjalizimin në sektorin privat.
Rekomandimet e Lëvizjes FOL, të dhëna në fund të raportit, janë :
- Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, të bëj vlerësimin ex-post të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve për të vlerësuar efektivitetin e tij dhe për të shqyrtuar mundësitë për plotësim/ndryshimin e tij. Kjo e fundit me qëllim të specifikimit të autoriteteve kompetente që do të pranojnë dhe shqyrtojnë raportimet nga ana e subjekteve të sektorit privat, në mënyrë që të sigurohet implementimi i duhur i ligjit në praktikë.
- Në ndryshimet e mundshme të ligjit të përfshihen përfaqësuesit e bizneseve, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe palë të tjera. Kjo në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë akterëve që mund të kontribuojnë në këtë drejtim.
- Të ri-përcaktohen institucionet kompetente për të pranuar, shqyrtuar dhe trajtuar sinjalizimin e jashtëm në sektorin privat, në mënyrë që të mos ketë hamendësime tek të punësuarit e sektorit privat se cilat janë këto institucione.
- Të rritet numri i stafit profesional të Inspektoratit të Punës, në mënyrë që të filloj mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji për sektorin privat, dhe të kryej obligimet për inicimin e procedurave për kundërvajtje për subjektet që nuk i përmbushin obligimet e parapara me këtë ligj. Kjo do të kontribuonte në forcimin e aftësive të institucionit për të siguruar respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin privat, duke ndihmuar në parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në këtë kontekst.
- Të parashihet obligimi për miratimin e udhëzimit administrativ mbi bazën e të cilit do të hartoheshin aktet e brendshme të institucioneve private për përcaktimin e procedurës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit.
- Të organizohen fushata ndërgjegjësuese për të punësuarit e sektorit privat në lidhje me obligimet që parashihen në LMS, si dhe për përfitimet e zbatimit të këtij mekanizmi.