Sfida e monitorimit të zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale 2009 janë të parat në Republikën e Kosovës dhe që organizohen tërësisht nga institucionet vendore. Këto zgjedhje janë të rëndësishme në shumë aspekte dhe përbëjnë testin e parë të vërtetë për demokracinë e vendit. Këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe në procesin e integrimeve euro-atlantike. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë një kusht absolut për Kosovën dhe në këtë aspekt Bashkimi Evropian nuk do të bëjë kompromise.

Për të siguruar që zgjedhjet do të plotësojnë kriteret e botës demokratike dhe do të përmbushin kushtet e Bashkimit Evropian është qenësore që ato të vëzhgohen nga faktori ndërkombëtar dhe ai i brendshëm. Meqenëse statusi politik i vendit është një mollë sherri në raportet në disa organizata ndërkombëtare, zgjedhjet lokale 2009 në Kosovë nuk do të mund të monitorohen nga OSBE-ja, që ka një traditë në këtë drejtim. Megjithatë, këto zgjedhje do të vëzhgohen nga Rrjeti Evropian i Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO) dhe një numër relativisht i vogël i monitoruesve tjerë ndërkombëtar. Nga organizatat vendore, Rrjeti i OJQ-ve kosovare ?Demokracia në Veprim? është mekanizmi kryesor që ka mundur të organizohet që të bëjë një vëzhgim të fushatës elektorale dhe do të bëjë monitorimin e ditës së zgjedhjeve me rreth 2,500 vëzhgues.

Kultura politike në vend, pjesë e së cilës është edhe sjellja jonë në organizimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve është një proces që në vazhdimësi përmirësohet. Në aspektin historik monitorimi i zgjedhjeve është një punë që ka filluar tek pas luftës së dytë botërore. Zgjedhjet e para që u monitoruan nga fuqitë e mëdha evropiane është referendumi në Moldavi dhe Wallachia. Monitorimi i Zgjedhjeve ishte i pazakonshëm deri pas Luftës së Dytë Botërore. Vëzhgimi i zgjedhjeve është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, së bashku me zhvillimin e standardeve ndërkombëtare për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.

Në vitet 1990, vëzhgimi ndërkombëtar i zgjedhjeve u përqendrua në vendet me demokraci të dobët apo demokracitë në tranzicion. Në vitet e fundit, megjithatë, ka pasur një numër në rritje të misioneve vëzhgues të monitorimit të zgjedhjeve edhe në vendet me traditë të gjatë demokratike, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë e Madhe dhe Zvicrën.

Nga: Ramadan Ilazi