Ryshfeti, nepotizmi dhe keqpërdorimet të pranishme në arsim

Prishtinë, 15 mars 2016- FOL ka mbajtur sot konferencën për media me ç’rast publikoi raportin “Opinioni Publik mbi perceptimin, njohuritë dhe përvojat e të rinjve në fushën e korrupsionit në sistemin e edukimit”. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin: Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, Drejtori i Misionit të USAID, James Hope, Arbrie Nagavci, nga DKA Prishtinë, Diana Qarkagjija nga DKA Gjakovë, Avni Maloku DKA Podujevë, Pajazit Hajzeri nga DKA Mitrovicë.
Gjithashtu Lëvizja FOL lansoi sot platformën online http://sedukorrupsionin.org/ e cila do të tentojë të nxisë aktivizimin qytetarë të të rinjve në promovimin e luftës anti-korrupsion në sistemin e edukimit,përmes teknologjisë informative dhe medieve sociale.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, tha se është hera e parë që një hulumtim të tillë për korrupsionin e bëjmë me këtë target grup. Ai tha se synim i këtij hulumtimi ka qenë që të dihen njohuritë dhe përvojat që kanë të rinjtë për korrupsionin.
Ndërkaq, Fitore Metbala koordinatore e projektit në Lëvizjen FOL, bëri prezantimin e të gjeturave të hulumtimit. “Në këtë hulumtim kanë qenë të përfshirë 800 nxënës e studentë të 5 komunave të Kosovës, Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë”. Sipas këtij hulumtimi, Qeveria vazhdon të jetë më e korruptuara. Situata në sistemin e edukimit vazhdon të përballet me probleme si aktivitete korruptive, keqpërdorim i të mirave materiale, neglizhenca e të tjera.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se të rinjtë duhet të jenë të mbrojtur nga korrupsioni. “Për luftimin e korrupsionit arma më e mirë mbetet edukimi i mirësjelljes dhe vetëdijesimi i të rinjve se korrupsioni është krim”. Ekskursionet, kurset private, regjistrimet e nxënësve dhe studenteve pa i plotësuar të gjitha kriteret vazhdojnë të mbesin shqetësuese ndonëse ka përmirësime në këto fusha. ” Sistemi i edukimi duhet të jetë shembull sa i përket institucioneve tjera për korrupsion. Edhe pse mund të jetë në parametra të ulëta, prapë se prapë është shqetësuese”, tha ministri Bajrami.
Ndërsa, James Hope, drejtor i misionit të USAID – it në Kosovë, tha se korrupsioni duhet luftuar, sidomos në sistemin e arsimit, që është baza e një shoqërie. “Korrupsioni në Kosovë është ndër çështjet kryesore krahas papunësisë. Target grupi i këtij hulumtimi është gjenerata e ardhshme e Kosovës, dhe ata këtë e shohin si një sfidë madhore. Mirëpo lajmi i mirë është se ata edhe janë të gatshëm që të bëjnë diçka për të luftuar korrupsionin dhe ne duhet ti ndihmojmë në këtë drejtim”, tha Hope. Sipas tij, platformën sedukorrupsionin duhet të shfrytëzojnë të gjithë, ngase krijon hapësirë për të biseduar për korrupsionin dhe raportuar atë.
Regjistrimet jashtë kritereve të caktuara nga Ministria e Arsimit, kurset private nga mësimdhënësit, punësimi i mësimdhënësve nga komunat, blerjet e notave,ekskursionet etj, janë fushat kryesore në të cilat janë duke punuar drejtoritë komunale të arsimit në komunat e përfshira në hulumtim, në mënyrë që të luftohet dukuria e korrupsionit.

Ky raport u realizua në kuadër të Projektit “Përfshirja e të Rinjve në Promovimin e Luftës Kundër Korrupsion në Sistemin e Edukimit” i cili mbështetet nga Programi për Angazhim dhe Barazi (E4E) i financuar nga USAID/ATRC.

0d875ef5-19e2-4d39-b85f-e9ac11825894 Fotografi nga konferenca (1)