Rritet publikimi i aktgjykimeve për 41 % në krahasim me vitin 2021
Prishtinë, 31 mars 2023 – Lëvizja FOL me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka publikuar sot “Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore”, i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga Gjykatat e Kosovës për vitin 2022.
Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se publikimi i aktgjykimeve konsiderohet një prej segmenteve më të rëndësishme të sigurimit të transparencës në sistemin e drejtësisë. Pra nuk mund të flitet për transparencë dhe llogaridhënje në sistemin e drejtësisë, pa publikim të epilogjeve gjyqësore, tha ajo.
Ajo theksoi se, kësaj radhe, për të treguar një përqindje të saktë të shkallës së publikimit të aktgjykimeve nga Gjykatat e Kosovës, kemi ndërruar metodologjinë e vlerësimit. Pra kemi nxjerrur nga një përqindje të proporcionit ndërmjet lëndëve të zgjidhura në të gjitha gjykatat gjatë kësaj periudhe, dhe lëndëve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Ndër të tjera, Nimani theksoj se, duke i marrë parasysh gjetjet e gjithë këtij monitorimi për këtë periudhë kohore, Lëvizja FOL edhe këtë herë do të ndajë “Çmimin për Gjykatën më Transparente” i cili do t’i ndahet Gjykatës Themelore që ka arritur përqindjen më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqen e KGjK – së në raport me lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2022.
Gjithashtu, Nimani tha se kemi vlerësuar që ky çmim duhet t`i ndahet njëres prej Gjykatave Themelore, për shkak të dinamikës së punëve dhe vëllimit të lëndëve që gjyaktat e shkallës së parë i kanë, në raport me gjykatat e shkallëve të tjera. Prandaj, ky Çmim i është ndarë Gjykatës Themelore të Ferizajt, për shkak se e njejta ka arritur shkallën më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në raport me lëndët e zgjidhura.
Albert Zogaj, Kreyesuesi i Këshillit Gjqësor të Kosovës, tha se ne po vërejmë që trendi i publikimit në propocion me lëndët e zgjidhura do të jetë një prioritet i joni, dhe ftojmë të gjithë partnerët që edhe mediat edhe shoqëria civile të bëj kontributin e tyre që të kërkoj transparëncën.
Më tutje, z. Zogaj tha, “unë falëndëroj dhe mirëpres raportin si dhe INL që përkrah Lëvizjen FOL për punën e saj dhe mirëpres ndryshimin e metodologjisë për të përzgjedhur edhe Gjykatën më Transparente që kjo do të rritë edhe më shumë konkurrencën dhe do të jetë një shtyes e mire për Gjykatat tjera”.
Tamra Greig, Drejtoreshë e INL në Kosovë, tha se në këtë raport po shohim një hap tjetër për një demokraci dhe transparencë të shëndoshë, nga ky raport po shohim përpjekjet nga sistemi gjyqësor për të sjellë transparencën tek publiku dhe publikimi i këtij raporti është një tjetër reflektim për të sjellë transparencë.
“Do të doja të falenderoja edhe Këshillin Gjyqësor për punën e juaj dhe rrugën drejt tansforimimeve dhe se ky raport është një tjetër hap që tregon se sistemi gjyqësor ka bërë përparime në këtë sektor duke sjellë transparencën tek qytetarët. Ne, si INL do të vazhdojmë të mbështesim partnerët tanë përmes projekteve tona dhe programeve tona për të rritur vetdijësimin tek qytetarët që të kërkojnë drejtën e tyre dhe që sistemi gjyqësor ta sjellë atë.”, ka thënë ndër të tjera Greig.
Krenare Sogojeva, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ndër të tjera tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi si shtyllë të dytë e ka edhe qasjen në dokumente publike dhe ne këtë e kemi
fuqizuar përmes fushatave vetdijsuese, dhe se përmes këtij raporti ne shohim të dhëna që tregojnë rritjen e nivelit të transparencës së institucioneve gjyqësore, dhe se kjo është një e drejtë që ju takon qytetarëve edhe me Kushtetutë.
Albana Hasani, zyrtare ligjore dhe hulutmuese ligjore në Lëvizjen FOL, prezantoj gjetjet e këtij raporti. Ajo tha se “Raporti mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore (Janar – Dhjetor 2022)” ka për qëllim që të paraqes gjendjen faktike të publikimit të aktgjykimeve dhe aktvendimeve nga ana e Gjykatave të Republikës së Kosovës, të identifikoj problemet dhe sfidat në publikimin e këtyre vendimeve, si dhe të ofroj një listë rekomandimesh për veprimet që institucionet relevante duhet t’i ndërmarrin për të përmirësuar shkallën dhe cilësinë e këtyre vendimeve.
Ajo shpjegoj metodologjinë e vlerësimit të aktgjykimeve, ku tregoj se janë krahasuar numrin e lëndëve të zgjidhura dhe numrin e lëndëve të publikuara në secilën gjykatë gjatë vitit 2022. Numri i lëndëve të zgjidhura nga të gjitha gjykatat dhe degët e tyre është nxjerrur nga Raporti Statistikor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2022.
Hasani tha se gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë publikuar gjithsej 34,700 vendime. Gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur mbi 97,000 lëndë, që nënkupton se janë publikuar rreth 36 % e lëndëve të zgjidhura.
Sipas Hasanit, ky nivel i publikimit dëshmon rritje të publikimit të aktgjykimeve dhe aktvendimeve prej 41 % në krahasim me vitin 2021, ku në ueb-faqen e KGjK-së ishin publikuar rreth 24,500 vendime.
Hasani tha se tri gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara gjatë vitit 2022 në proporcion me lëndët e zgjidhura gjatë periudhës përkatëse janë: Gjykata Supreme, e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 4,551 lëndë, ndërsa ka publikuar 3,188 vendime (pra, 70 % të lëndëve të zgjidhura); Gjykata e Apelit, e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 15,013 lëndë, ndërsa ka publikuar 7,451 vendime (apo 50 % të lëndëve të zgjidhura); si dhe Gjykata Themelore e Ferizajit, e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 6,282 lëndë, ndërsa ka publikuar 2,875 vendime (46 % të lëndëve të zgjidhura).
Ndërsa degët e gjykatave me më së shumti vendime të publikuara në proporcion me lëndët e zgjidhura gjatë përiudhës së monitorimit janë: Dega e Kaçanikut, e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 974 lëndë, ndërsa ka publikuar 601 vendime (apo 61 % të lëndëve të zgjidhura), Dega e Rahovecit, e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 1,493 lëndë, ndërsa ka publikuar 853 vendime (apo 49 % të lëndëve të zgjidhura), si dhe Dega e Malishevës, e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 1,067 lëndë, ndërsa ka publikuar 565 vendime (pra 53% të lëndëve të lëndëve të zgjidhura).
Në fund të raportit, Lëvizja FOL ka dhënë edhe disa rekomandime me të cilat vlerëson se do të ngritej dinamika e publikimit të aktgjykimeve në periudhën kohore në vijim, disa prej të cilave janë: të shmanget publikimi i aktgjykimeve në të cilat përfshihen personat e mitur në çfarëdo cilësie, aktgjykimet nga kontestet martesore dhe llojet e tjera të aktgjykimeve dhe aktvendimeve që përjashtohen nga publikimi; secila lëndë ta ketë numrin unik të lëndës; të gjitha aktgjykimet të publikohen në formatin PDF; si dhe të ndermerren veprime sistematike për rritjen e numrit të vendimeve të publikuara, në mënyrë që të kemi një transparencë të qëndrueshme institucionale.
Raportin e plotë mund ta gjeni; https://bit.ly/3K13e29