Rreth 311 kërkesa nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për Konfiskim të Pasurisë

Gjilan, 07 Prill 2015 – Lëvizja FOL ka organizuar debatin e radhës në komuna me temën Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve, kësaj radhe në Komunën e Gjilanit. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, Odes së Avokatëve të Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe media. Muhamet Haliti tha se qëllimi i këtyre tryezave të organizuara nga Lëvizja FOL është që të shihet zbatimi i bazë ligjore që rregullon konfiskimin e pasurisë në Kosovë.

Kryetari i Gjykatës Themelore ne Gjilan, z. Hyzdi Haziri, tha se “në Gjykatën Themelore të Gjilanit procedohen lëndë të ndryshme duke përfshirë këtu edhe lëndë të konfiskimit. Gjykata Themelore e Gjilanit për vitin 2014 ka konfiskuar 9 automjete, monedha false, armë, si dhe materiale ndërtimore, po ashtu ka konfiskuar edhe 150 kg narkotik të llojeve të ndryshme. Ndërsa sa i përket pasurisë së paluajtshme, nuk është që nuk ka të sekuestruar, mirëpo pa u dhënë vendimi i formës së prerë nuk i bëjmë publike ato, tha ai”. Ai më tej tha se i është dhënë përparësi lëndëve të kësaj natyre sidomos pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me Vepër Penale.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Jetish Maloku tha se “tek pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri Prokuroria e Gjilanit është aktivizuar, meqë me këtë ligj i është dhënë më shumë kompetencë prokurorit. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ne tek i kemi pasur rezultatet e para, ku për vitin 2014 i kemi bërë 311 kërkesa për Konfiskim, por jo të gjitha e kanë marrë vendimin e formës së prerë nga Gjykatat. Ai më tej shtoi se Prokuroria e Gjilanit ka një Prokurorë të veçantë i cili merret enkas me lëndët e konfiskimit, mirëpo sipas tij mungon një trajnim pak ma përmbajtësor rreth kësaj fushe për Prokurorët e Gjilanit. Sipas tij Ligji njeh konfiskim të pasurive që janë përdorur me rastin e kryerjes së veprave penale, si dhe aseteve që janë dal si rezultat i kryerjes së veprës penale, këto detyrimisht janë konfiskime, mirëpo problemi sipas tij qëndron me pasurinë që është fituar në mënyrë të paligjshme pa kryer ndonjë vepër penal (jo domosdoshmërish duhet të kryhet një vepër penale që ti konfiskohet pasuria dikujt) e kjo është një barrë e rëndë për Prokurorin që të ta vërtetojë. Ai më tej shtoi se “Agjencia për Menaxhimin e pasurisë së sekuestruar/konfiskuar nuk arrijnë shpesh me i menaxhuar të gjitha asetet e sekuestruara apo konfiskuara, shpesh ata dështojnë në shitjet e tyre dhe nuk arrijnë që të materializohen ato pasuri.

Sherif Sherifi avokat, tha se “për prokurorinë e Gjilanit është sfidë që të dëshmojë se si i dyshuari ka e ka fituar një pasuri të caktuar, sepse sipas ligjit ai duhet të ketë kryer vepër penale në mënyrë që ti hetohet pasuria”. Ai po ashtu shprehu edhe një shqetësim me Gjykatën e Apelit, e cila shpesh herë ia kthen lëndët Gjykatës Themelore. Sipas tij Prokuroria e Gjilanit duhet të krijojë një task forcë brenda saj e cila merret vetëm më lëndët e kësaj natyre.

Ismet Azizi qytetar Aktiv i Gjilanit tha se “për sa banorë ka Komuna e Gjilanit është qesharake që të përmenden gjërat të cilat janë konfiskuar, mos të krenohemi me vetura, monedha false, e sasi të vogël të narkotikëve të konfiskuar, por të japim shifra konkrete se sa pasuri e paluajtshme është krijuar në mënyrë të paligjshme”.

Fotografi nga debati 1  Fotografi nga tryeza ne Ferizaj (2)