REAGIM: TERHEQJA E SERBVE NGA INSTITUCIONET E KOSOVËS

Prishtinë, 7 nëntor 2022 – Në ditët e fundit personeli nga Komuniteti Serb në institucionet e Republikës së Kosovës është tërhequr nga jeta institucionale. Kryetarët e Komunave me shumicë Serbe, Deputetët, dhe së fundi edhe Gjyqtarët, Prokurorët dhe  Policët, kanë paraqitur dorëheqjen e tyre tek institucionet gjegjëse. Ky veprim politik i një pjesë të përfaqësuesve Serb në Kosovë, nën dirigjimin dhe pas takimeve me Presidentin serb në Beograd, është bërë me pretekstin se Drejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut u suspendua nga detyra pasi që refuzoi të zbatojë vendimin e ligjshëm të Qeverisë së Kosovës të 28 tetorit 2022.

Pjesëmarrja e qytetarëve serb në institucionet e Kosovës, me theks në Polici e Gjyqësi, ka ardhur si rrjedhojë e një procesi të dialogut të lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e ShBA-ve që nga viti 2011 e tutje. Nëpërmjet këtij procesi u mundësua shkrirja e institucioneve paralele Serbe dhe integrimi i personelit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Prandaj, tërheqja e tyre nga jeta institucionale minon çdo arritje të dialogut deri më tani, dhe veprimet e një pjese të përfaqësuesve të komunitetit serb të dirigjuara nga Beogradi zhvlerësojnë çdo arritje në dialog. Me këto veprime bien poshtë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, garantues i zbatimit të së cilave është Bashkimi Evropian.

Në periudhën kur palët me inkurajimin dhe ndërmjetësimin nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke biseduar për arritjen e një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme, veprimet e fundit të Listës Serbe me dirigjim nga Serbia, anulojnë vet Marrëveshjen e vitit 2013 dhe marrëveshjet tjera të arritura, si dhe cenojnë çdo mundësi të arritjes së marrëveshjeve të tjera.

Pamundësia e komunitetit ndërkombëtar nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura nëpërmjet dialogut krijojnë një ambient të mos besimit në këtë proces. Prandaj, Bashkimi Evropian duhet të ketë një qëndrim të prerë karshi këtyre veprimeve, të mos lejojë që marrëveshjet e dialogut të jenë kaq të cenueshme nga politikat ditore të palëve në dialog, si dhe të garantojë që çdo marrëveshje e arritur deri më tani dhe marrëveshjet e reja janë obligative për palët.

Parim i përgjithshëm i funksionit të shtetit ligjor është pavarësia e funksionimit të Gjykatave, Prokurorive, si dhe Polici e orientuar drejt komunitetit. Parime të cilat burojnë nga praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të cilat janë të mishëruara në praktikën Evropiane, parime të cilat Kosova është duke i ndërtuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar. Tërheqja e një pjesë të përfaqësuesve Serb në Kosovë nga jeta institucionale, me theks në sektorin e Drejtësisë cenon pavarësinë e këtyre institucioneve. Tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra e tyre bazuar në vendime politike pamundëson funksionimin e tyre të pavarur. Po ashtu pamundëson që mekanizmat relevant siç janë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial të marrin vendime të pavarura dhe të bazuara në rregullativën në fuqi. Vendimet e këtyre institucioneve nuk janë subjekt i etnitetit apo edhe zonës gjeografike të Kosovës. Veprimet e tyre në funksion të zbatimit të ligjit janë në funksion të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh komunitetin, komunën, fenë, gjuhën, etj. Prandaj, gjyqtarët dhe prokurorët e integruar në sistemin e drejtësisë duhet të mirëmbajnë këto parime dhe të mos ndikohen nga vendimet politike, qofshin ato të Kosovës apo edhe të Serbisë. Tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Republikës së Kosovës, ka ndikime negative të pa-riparueshme për këto institucione dhe si pasojë edhe për qytetarët.

Nga ana tjetër, parimi i përgjithshëm i dialogut i paraqitur në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu deri më tani ka arritur, edhe pse me zvarritje të madhe, të përmirësojë jetën e qytetarëve në shumë sfera. Si Qeveria e Kosovës e ashtu edhe ajo në Serbi duhet të jenë më të përkushtuara në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani pa dallim, dhe të shmangin retorikën dhe veprimet që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e arritur me shumë mund.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë më kategorik në qëndrimet e tyre, duke kërkuar prerazi që serbët të kthehen pa asnjë kusht në pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, për të vazhduar pastaj me kërkesat për zbatimin e obligimeve të dy palëve ndaj marrëveshjeve të Brukselit, si dhe përkushtim në dialog për arritjen e marrëveshjes finale.

 

Organizatat e shoqërisë civile që mbështesin këtë reagim:

Çohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politika

Iniciativa për Progres

Instituti Columbus

Instituti i Kosovës për Drejtësi

QKSS

Lëvizja Fol