REAGIM – Të ngritet llogaridhënia dhe përgjegjësia e Kuvendit ndaj vendimeve të ndërmarra
Prishtinë, 21 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL me datën 24 nëntor i ishte drejtuar me kërkesë për sqarime Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku kishte kërkuar bazën ligjore për diskualifikimin e një prej kandidatëve nga procesi i rekrutimit për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsion. Mirëpo, kanë kaluar afër një muaj nga dërgimi i kërkesës, ndërsa Lëvizja FOL nuk ka pranuar asnjë përgjigjje në lidhje me arsyet e diskualifikimit të kandidates në fjalë.
Kjo kërkesë ishte parashtruar për shkak se, sipas certifikatës së lëshuar nga gjykata, figuron se ndaj të njëjtës është duke u zhvilluar procedura penale, por e njëjta nuk është e dënuar për ndonjë vepër penale me vendim të formës së prerë. Rrjedhimisht, sipas nenit 8 të Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsion, ku përcaktohen kriteret që duhet të përmbushen për tu përzgjedhur drejtori i këtij institucioni, njëra prej këtyre kritereve është që të mos ketë qenë i/e dënuar për vepër penale (ndërsa si kriter nuk përcaktohet që ndaj kandidatit/es të mos jetë duke u zhvilluar procedura penale).
Në qoftë se diskualifikimi i kandidates nuk mbështetet në ndonjë bazë tjetër ligjore, atëherë konsiderojmë se me diskualifikimin e kandidates në fjalë është cenuar parimi i prezumimit të pafajësisë dhe është paragjykuar integriteti i kandidates, përderisa nuk ekziston ndonjë vendim i formës së prerë nga gjykatat e Republikës së Kosovës.
FOL po ashtu ka ndjekur rrugën ligjore për mos dhënien e informatës së kërkuar nga Kuvendi, duke iu drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Prandaj, përmes këtij reagimi kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të ndërmarr hapa konkret drejt ngritjes së llogaridhënies, në mënyrë që i gjithë procesi i përzgjedhjes të konsiderohet si proces kredibil dhe i zhvilluar me respektim të plotë të dispozitave ligjore.