REAGIM: MUNGESË E THEKSUAR E TRANSPARENCËS DHE OBJEKTIVITETIT NË PROCESIN E PËRZGJEDHJES SË 1 (NJË) ANËTARI TË BORDIT TË RTK-SĒ

Prishtinë, 25 korrik 2022 – Lëvizja FOL ka monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve për anëtar të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), dhe tërë mbarëvajtjen e punëve të komisionit përgjegjës në këtë fazë e cilëson me mungesë të theksuar të transparencës dhe të vlerësimit objektiv të kandidatëve.

Në këtë proces kishin aplikuar gjithsej 14 kandidatë, ndërsa fazës së intervistimit i janë nënshtruar vetëm 9 prej tyre. Anëtarë të Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e këtyre kandidatëve ishin: Fitim Hajrizi (LVV), Arbëreshë Kryeziu (LVV), Njazi Isaku (LVV), Valon Ramadani (LVV), Besim Muzaqi (LVV), Ergjan Galushi (LPRK), Albana Bytyqi (AAK) dhe Agim Veliu (LDK).

Të gjithë kandidatëve nuk u janë parashtruar pyetjet e njëjta nga ana e komisionit, duke krijuar kështu trajtim të pabarabartë të kandidatët dhe vlerësim jo objektiv dhe jo meritor nga ana e komisionit.

Gjithashtu, duke mos e respektuar parimin e transparencës, anëtarët e komisionit e kanë mbajtur të fshehur poentimin për secilin kandidat individualisht, si dhe nuk i kanë arsyetuar ato para monitoruesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve. Publike u bënë vetëm totali i pikëve për secilin kandidat në fund të procesit. Në këtë mënyrë, deputetët e Kuvendit kanë vepruar në kundërshtim me praktikën e mirë të krijuar në procesin e kaluar të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së, si dhe me standardet e krijuara nga ekspertët britanik (BDO) për proceset rekrutuese.

Gjithashtu, duhet theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk mori parasysh pohimin e njërit prej kandidatëve se është pozitiv me COVID 19. Pra, kandidati qysh më herët kishte deklaruar se është në ditën e 9 të karantinimit, dhe pavarësisht kësaj është ftuar për tu intervistuar fizikisht nga ana e kuvendit.

Kandidatët që i janë propozuar Kuvendit për votim për anëtar të Bordit të RTK-së janë: Mehmet Kalisi (697 pikë) dhe Besnik Aliu (622 pikë).

FOL konsideron se i tërë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së duhet domosdoshmërisht të përsëritet në mënyrë që të ruhet pavarësia dhe kredibiliteti i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.