REAGIM: Kundër vendimit të Ministrisë së Industrisë për revokimin e licencës së Klan Kosovës

Prishtinë, 28 korrik 2023 – Lëvizja FOL dënon ashpër vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, mbi refuzimin e ankesës së Klan Kosovës.
Ky vendim është autoritar dhe përbën ndërhyrje të pastër politike ndaj medias së lirë e cila konsiderohet si shtylla e katërt e demokracisë. Fjala e lirë është e drejtë kushtetuese, e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe cenimi i saj përben shkelje. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë legjitimitet dhe të quhet demokratike një vendim i cili cenon lirinë e një medie.
Në një demokraci funksionale, media e lirë dhe e pavarur luan një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve, zhvillimin e një debati të hapur dhe kritik ndaj qeverisjes dhe përgjegjësinë e institucioneve publike.
Prandaj, mbesim me shpresën që gjykata kompetente për shqyrtimin e ankesës të vendos në pajtim me normat kushtetuese dhe ligjore.

#meklankosova