Reagim i Lëvizjes FOL ndaj zhvillimeve aktuale në Kosovë
Prishtinë, 16 qershor 2023 – Lëvizja FOL shpreh shqetësimin e thellë lidhur me zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, dhe potencialin në rritje për konflikt dhe dhunë në atë pjesë të vendit.
FOL i bën thirrje Bashkimit Evropian si dhe NATO-s e KFOR-it që të lehtësojnë kthimin e shpejtë të policëve në Kosovë.
Tensionet e shtuara dhe dhuna në veri të Kosovës rrezikojnë të krijojnë kushte që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë rivendosjen e normalitetit dhe rrezikojnë progresin e arritur në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Nuk arrijmë të shohim racionalitet në qasjen aktuale të qeverisë së Kosovës ndaj situatës në veri të vendit; në vend të kësaj ne po shohim arrogancë dhe ngurtësi. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Kurti që t’i dëgjojnë thirrjet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të bashkëpunojë për ç’tensionimin e situatës në veri. Është në interesin më të mirë të Kosovës që t’i japë fund tensioneve aktuale dhe procesi i dialogut të rifilloj.
Për më tepër, jemi thellësisht të shqetësuar nga gjuha që po përdoret, sidomos në platformat e mediave sociale, dhe sulmet kundër atyre që kanë mendime të ndryshme nga qeveria për zhvillimet e fundit. Dënojmë çdo përpjekje për të pezulluar normat demokratike në vendin tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe shumica e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë për të krijuar konsensus, për të ofruar informacion të saktë për publikun për situatën dhe për të denoncuar çdo fushatë linçuese ndaj qytetarëve.