Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore – Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (9 shkurt 2025)

Monitorimi i mediave gjatë fushatës zgjedhore është një komponentë kyçe për vlerësimin e transparencës dhe paanshmërisë së mbulimit mediatik. Ky raport, i përgatitur nga Demokracia në Veprim (DnV), analizon hapësirën e dedikuar për subjektet politike dhe kandidatët në mediat tradicionale dhe ato sociale gjatë periudhës zgjedhore (11 janar – 8 shkurt 2025).
Ky raport synon të ofrojë një bazë të fuqishme për përmirësimin e transparencës dhe barazisë në mbulimin mediatik të zgjedhjeve në të ardhmen.
Në pjesën në vijim, do të paraqiten gjetjet kryesore të këtij raporti të monitorimit:

• DEBATET TELEVIZIVE
Nga 409 debatet e zhvilluara gjatë kësaj fushate zgjedhore, dominojnë ato vetëm me një subjekt politik (223 debate), pasuar nga debatet vetëm me analistë (131 debate).
Gjatë kësaj fushate vërehet mungesa e ballafaqimit të subjekteve politike, ku vetëm 47 debate përfshinin ballafaqime mes subjekteve ( 34 debate me shumë subjekte, dhe 13 debate në mes dy subjekteve).
Pjesëmarrja e grave në debate ishte vetëm 21%, ndërsa pjesëmarrja e kandidatëve burra 79%.

• KRONIKAT ZGJEDHORE
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, u transmetuan rreth 69 orë kronika zgjedhore në 11 televizione.
LDK dhe PDK kishin mbulim më të lartë (791 dhe 762 minuta), ndërsa Lista Serbe kishte vetëm 103 minuta.
Kandidatët për kryeministër patën 1123 minuta ekspozim, ndërsa kandidatët e tjerë për deputet vetëm 547 minuta.
Përfaqësimi i grave ishte i ulët: vetëm 16% e kronikave përfshinin gra, ndërsa pjesa tjetër (84%) ishte e dedikuar për kandidatët burra.

• PORTALET DHE TRANSMETIMET LIVE
Gjatë fushatës zgjedhore janë monitoruar 15 faqe zyrtare të portaleve në Facebook. Gjatë kësaj kohe ishin publikuar 293 transmetime të drejtpërdrejta nga portalet, që përfshinin 18,000 minuta mbulim.
Këto portale kanë transmetuar 305 orë e 4 minuta në faqet e tyre zyrtare. Prej kësaj hapësire, AAK-NISMA ka pasur 205 orë e 53 minuta, LDK 55 orë e 22 minuta, PDK 37 orë e 44 minuta, LVV 5 orë e 58 minuta, dhe subjektet tjera 7 minuta.
Mungesa e transparencës mbi sponsorizimin e këtyre transmetimeve ishte vënë re në pjesën më të madhe të transmetimeve live.

• AKTIVITETI NË RRJETIN SOCIAL “FACEBOOK” DHE FAQET ZYRTARE
Kandidatët për kryeministër postuan 579 postime në rrjetin social “Facebook”, ku Lumir Abdixhiku (LDK) udhëhoqi me 188 postime.
Faqet zyrtare të partive politike publikuan 1615 postime, ku më së shumti prej tyre kishte LVV (403 postime).


DnV rekomandon garantimin e përfaqësimit proporcional dhe të drejtë të kandidatëve dhe subjekteve politike në media, shmangien e lajmeve të njëanshme dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe përshpejtimin e emërimit të anëtarëve të rinj të KPM për funksionalizimin e institucionit.


Gjithashtu, kërkohet rritja e mbikëqyrjes ndaj mediave tradicionale dhe online për respektimin e standardeve profesionale, sigurimi i transparencës në financimin e mediave dhe reklamave politike për të shmangur ndikimin e grupeve të interesit, si dhe ofrimi i udhëzimeve dhe trajnimeve nga KPM për OShM-të mbi përgatitjen dhe dorëzimin e ditarëve të transmetimit.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore - Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (9 shkurt 2025) Download