Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Prizrenit (2024-2026)
Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.
Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Prizrenit. Planet lokale të veprimit për
barazi gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.
Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Prizrenit është miratuar në
tetor 2024 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshiu konsultime me
institucionet publike lokale, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit dhe
mekanizmat ekzistues për çështjet gjinore. Ky plan trevjeçar (2024–2026) është dokumenti
kryesor strategjik i komunës për integrimin e barazisë gjinore në politikat lokale, shërbimet
publike dhe planifikimin buxhetor.
PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.
Raporti i plotë në gjuhën shqipe