Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi sa më parë të themeloj institucionet më të larta të drejtësisë
Prishtinë, 21 Shtator 2009 – Lëvizja FOL dhe Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) kanë kërkuar nga organi më i lartë ekzekutiv i vendit që sa më shpejtë të zhbllokohet procesi i ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve më të larta të drejtësisë në vend, si dhe te rishikohen dispozitat përfundimtare të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 151, që i referohet Urdhëresës Administrative 2008/02, me të cilat përcaktohet dhe fuqizohet roli i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Në letrën dërguar kryeministrit FOL dhe FIQ i bëjnë thirrje që urgjentisht: 1. Të procedoni në Kuvend Ligjin për mbi gjykatat, Ligjin mbi Këshillin Gjyqësor, Ligjin mbi prokuroritë dhe Ligjin mbi këshillin prokurorial; 2. Të themeloni institucionet më të larta të gjyqësisë për të kompletuar kështu infrastrukturën e nevojshme për të garantuar sundimin e ligjit në vend; 3. Në bazë të përgjegjësive kushtetuese të garantoni plotësisht pavarësinë e tyre dhe të përshpejtoni procesin e tranzicionit të tej vonuar në mënyrë që qytetari por edhe bartësit e pushtetit vendor të ndjejnë ndryshim edhe përmbajtjesor në punë pas shpalljes së pavarësisë së vendit si dhe 4. Të përshpejtoni aktivitetin e qeverisë për të qartësuar mjedisin (konfuzionin) ligjor në mes të institucioneve të Republikës dhe administratës ndërkombëtare në vend.