Publikohet “Raporti i Progresit Made in Kosova”

Prishtinë, 25 tetor – Gjashtë organizata të shoqërisë civile, në një konferencë për media, të organizuar të hënën në Prishtinë, kanë promovuar “Raportin e Progresit, Made in Kosova”,(http://levizjafol.org/images/uploads/files/Raporti_i_Progresit_Made_in_Kosova.pdf) i cili është një version kosovar në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, raport ky që ofron një pasqyrë alternative ndaj progresit në Kosovë, duke reflektuar pikëpamjen dhe vlerësimin e organizatave të shoqërisë civile kosovare mbi fushat esenciale të qeverisjes shtetërore.

Këtë raport e kanë përpiluar: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Lëvizja “Fol”, Instituti GAP, Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL).

Raporti vlerëson periudhën tetor 2009 ” tetor 2010 dhe mbulon marrëdhëniet Kosovë ” BE (integrimi evropian, roli i EULEX), progresin politik dhe institucional (konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, politika e jashtme), progresin ekonomik (politikat ekonomike, tregtia e jashtme, sektori financiar), standardet evropiane (prokurimi publik, punësimi, politikat sociale) dhe politikat sektorale (shoqëria civile, media, siguria, liberalizimi i vizave).

Qëllimi i këtij raporti, i cili është unik për shtetet që e marrin Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian, është të ofrojë një pasqyrë alternative ndaj progresit (ku hyjnë edhe stagnimi dhe regresi) në Kosovë, duke reflektuar pikëpamjen dhe vlerësimin e organizatave të shoqërisë civile kosovare mbi fushat esenciale të qeverisjes shtetërore, u tha në konferencën për media.

Në të gjitha shtetet aspiruese të Bashkimit Evropian, vlerësimi i progresit të përgjithshëm shtetëror është fushë eksklusive e Komisionit Evropian, i cili përmes instrumentit të Raportit të Progresit jep mendimin e vet për zhvillimet njëvjeçare në këto shtete. Vlera e një instrumenti të këtillë është konstatuar të jetë e madhe, ndërsa efektet janë ndier drejtpërdrejtë në përmirësimin e performansës në sektorët më të kritikuar të qeverisjes shtetërore.

Një nga dimensionet më të diskutuara të Raportit të Progresit të KE-së gjatë viteve të fundit ka qenë kontributi i shoqërisë civile të shteteve që vlerësohen, respektivisht niveli i inkorporimit të inputeve të organizatave të shoqërisë civile. Për më tepër, shoqëria civile ende nuk po arrin të pozicionohet si aktor relevant për vlerësimin e progresit shtetëror, duke u kufizuar në një hapësirë që shpesh edhe margjinalizohet nga institucionet shtetërore.

Sipas konferencës për media, faktori motivues i iniciativës për të përpiluar një raport vendor të progresit ishte dëshira për të dalë nga një pozicion minimalist, drejt një faktorizimi relevant, që shoqërinë civile e shndërron në ofruesin e pasqyrës alternative të progresit shtetëror. Në këtë mënyrë, përveç Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, shteti i Kosovës do ta ketë edhe raportin kosovar të progresit, i cili reflekton perspektivën vendore mbi progresin.

Disa nga risitë dhe përparësitë e organizatave që u angazhuan në hartimin e këtij raporti janë: aplikimi i instrumenteve dhe kritereve tona të vlerësimit dhe matjes së progresit, evitimi i përdorimit të gjuhës politikisht korrekte ose neutrale, adresimi i problemeve më të rëndësishme (rrezikshme) që e pengojnë progresin, trajtimi i çështjeve të cilat nuk preken nga Raporti i Progresit të KE-së dhe vlerësimi i rolit të prezencës së BE-së në Kosovë (konkretisht EULEX-it), u tha në konferencën për media të gjashtë organizatave të shoqërisë civile, me rastin e promovimit të “Raportit të Progresit, Made in Kosova”.