Publikimi i Raportit për Sundimin e Ligjit në Administratën Publike

Prishtinë, 24 maj 2016 – Lëvizja FOL si partner implementues i pilot projektit për majten e sundimit të ligjit në Administratën publike, publikoi sot raportin “Matja e Sundimit të Ligjit në Administratën Publike në Komunat e Kosovës”, projekt ky i mbeshtetur nga Folke Bernadotte Academy, UNDP dhe misionin e OSBE-së në Kosovë.

Lëvizja FOL fillimisht ka realizuar hulumtime në tre faza, sipas “Mjetit për vetëvlerësim dhe matjes së sundimit të ligjit” të përgatitur nga Folke Bernadotte Academy dhe UNDP.

Në kuadër të këtyre hulumtimeve, është identifikuar harta e kornizës ligjore që rregullon çështjen e banimit social, janë analizuar të gjitha aktet juridike të kësaj fushe, sa përcaktojnë dhe mbulojnë ato parimet e sundimit të ligjit: ligjshmërinë, qasjen, të drejtën për tu dëgjuar, të drejtën për tu ankuar, transparencën dhe llogaridhënien.

Janë intervistuar zyrtarë të katër komunave përfituese të këtij projekti:Gjakova, Istogu, Kamenica dhe Lipijani, në një total prej 53 shërbyesve civil të përfshirë në anketim.

Për të parë perceptimin e përdoruesve të shërbimeve publike të ofruara nga komunat janë anketuar gjithsej 259 përdorues, prej të cilëve përfitues, të refuzuar dhe personat që janë në pritje.

Rezultatet e anketimeve paraqesin diskrepancë në përgjigjet e dhëna nga zyrtarët dhe përdoruesit, veçanërisht në çështjen e qasshmërisë së komunave, këshillës dhe udhëzimeve të komunës ndaj qytetarit, objektivitetin e komunave gjatë shqyrtimit të ankesave ndaj vendimeve të tyre dhe të drejtës së informimit të palëve me rastin e marrjes së një vendimi që prek interesin e tyre.

Pika kyçe ku edhe zyrtarët edhe përdoruesit janë pajtuar është se kërkesat mund të trajtohen edhe në gjuhë tjera përveç gjuhëve zyrtare si dhe të dy kategoritë e mostrës janë pajtuar që zyrtarët nuk mund të pranojnë ryshfet pa u hetuar dhe dënuar.

Të pranishëm në panelin e kësaj konference ishin: z. Andrew Russell, UN Koordinatori për Zhvillim dhe përfaqësuesi rezident në Kosovë i UNDP; z. Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë; z. Richard Sannerholm, Shefi i Programit të Sundimit të Ligjit, Akademia Folke Bernadotte, si dhe institucionet relevante të nivelit lokal dhe qendror. Nga komunat përfituese të këtij projekti për vetëvlerësimin e matjes së sundimit të ligjit, ishin në panel kryetarët e komunave për të dhënë vlerësimet e tyre mbi gjetjet e raportit, çështjen e banimit social dhe vështirësive që komunat hasin rreth trajtimit të kërkesave për banim social.

Të njëjtit vlerësuan që rekomandimet e dala nga ky raport do të jenë një pikë e fortë mbështetëse për përmirësimin e çështjes së banimit social nga vetë komunat.

Metodologjia specifike dhe të gjeturat u prezentuan bashkë nga partnerët FOL dhe UNDP,  për të hapur në fund diskutimin për të pranishmit.

Dhe në fund të takimit u vlerësua domosdoshmëria e një administrate funksionale dhe nevoja e përmirësimit të gjendjes aktuale të banimit social në këto katër komunat e përfshira në projekt.