Publikimi i Raportit “Monitoruesi i Korrupsionit” për muajt Nëntor-Dhjetor

Prishtinë, 4 shkurt 2011 – Nga 17 vendime të Qeverisë së Kosovës për muajin nëntor dhe dhjetor asnjë një vendim nuk ka qenë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë kësaj kohe ka ndodhur edhe rrëzimi i qeverisë së Kosovës nga mocioni i mos-besimit;
Në Prokuroritë e Qarkut janë kryer 148 lëndë: 130 në prokurorinë e Prishtinës, 2 në atë të Gjilanit dhe 16 në atë të Prizrenit. Deri me 2009, janë bartur gjithsej 248 lëndë: 231 në Prokurorinë e Prishtinës, 3 të Pejës, 2 të Gjilanit dhe 12 në atë të Mitrovicës. Ndërkaq, në vitin 2010 janë pranuar gjithsej 58 lëndë: 30 në Prokurorinë e Prishtinës, 2 të Pejës, 7 të Gjilanit dhe 19 të Prizrenit. Tani-për-tani janë 158 lëndë në total: 131 prej tyre në Prishtinë, 5 në Pejë, 7 në Gjilan, 3 në Prizren dhe 12 në Mitrovicë. Ndërkaq, nëse i shqyrtojmë statistikat anti-korrupsion në nivel komunal shohim se 93 lëndë kanë qenë të bartura nga vitet e mëparshme, 256 sosh lëndë të pranuara vetëm gjatë vitit 2010, 85 lëndë janë kryer në 2010 dhe 264 janë lëndë në punë;
Prej këtyre lëndëve, në Prokurorinë Speciale 20 lëndë janë pranuar në vitin 2010 dhe ende vazhdojnë të jenë lëndë në punë, duke mos zgjidhur as një lëndë të vetme;

Gjatë muajit dhjetor janë akuzuar Slavisha Petkoviq dhe Branislav Gërbiq nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, bashkë me nëntë persona të tjerë, se kanë keqpërdorur 1.1 milionë euro. Slavisha Petkoviq akuzohet se ka ndërtuar një shtëpi në të cilën jeton edhe sot në vlerë prej 95 mijë. Pa e futur dorën në xhep ai kishte rinovuar një restorant të quajtur “Tropikana”, në Çagllavicë. Petkoviq ishte thirr në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në cilësinë e të akuzuarit për pesë vepra penale. Ky grup prej 11 personash 2 serbë, dhe 9 shqiptarë akuzohen se kanë dëmtuar Buxhetin e Kosovës më shumë se një milion euro duke nënshkruar kontrata fiktive për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit;

Statistikat e muajit nëntor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) tregojnë se gjithsej 15 persona kanë qenë nën hetime: 3 për marrje të ryshfetit dhe 12 sosh për shpërdorim të detyrës zyrtare; 6 lëndë janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur: 1 për marrje të ryshfetit dhe 5 për shpërdorim të detyrës zyrtare; 5 raste janë dërguar në Prokurori me Raport të Veçantë dhe vetëm 2 persona janë arrestuar për shpërdorim të detyrës zyrtare;

Nga 45 artikuj të publikuar nga gazetat e përditshme për muajin dhjetor (Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot dhe Expressi), 24 janë realizuar si tema, 21 lajme. Koha Ditore dhe Zëri më shumë kanë qenë të fokusuara në Qeverinë dhe Ndërmarrjeve Publike të Kosovës. Ndërkaq, kritikat e gazetës Kosova Sot ka qenë më shumë të fokusuara në Gjyqësorin e vendit dhe më pak për Qeverinë dhe Ndërmarrjet Publike, ndërkaq Express-i më shumë në nivel lokal.