Prokuroria Themelore në Prizren kërkon task-forcë për konfiskimin e pasurisë

Prizren, 14 Prill 2015. Lëvizja FOL ka organizuar debatin e radhës në Komunën e Prizrenit me temën Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, Odes së Avokatëve të Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe media.

Fisnik Minci tha se qëllimi i këtyre tryezave të organizuara nga Lëvizja FOL është që të shihet zbatimi i bazës ligjore që rregullon konfiskimin e pasurisë në Kosovë.

Skënder Çoçaj gjykatës në Gjykatën Themelore në Prizren tha se tema e Konfiskimit të Pasurisë është një temë mjaft aktuale, sidomos pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri në fuqi, i cili i ka dhënë një rëndësi kësaj fushe. Gjykata Themelore në Prizren gjatë vitit 2014 ka marrë vendime për konfiskim shuma të mëdha parash, naftë në vlerë 12 mijë euro, armë, lëndë narkotike. Ndërsa sa i përket pasurisë së paluajtshme ai tha se nuk është bërë ndonjë konfiskim me vendim të formës së prerë.

Genc Nixha nga Prokuroria Themelore në Prizren tha se Prokuroria si dhe Policia Kundër Krimeve Ekonomike duhet të kenë një sektorë të veçantë të cilët do të merren me këtë fushë. Më tej ai shtoi se Policia duhet ti siguroj prokurorit fakte të mjaftueshme për të filluar hetimin e pasurisë së paligjshme të fituar me vepër penale. Ai potencoi se momentalisht nuk ka bashkëpunim shumë të mirë institucional në këtë fushë, për atë edhe nuk mund të krenohemi me punën e bërë.

“Unë konsideroj që zbrazëtirat ligjore nuk duhet të na pengojnë që ne të kryejmë punën tonë”,deklaroi Nixha. Ai më tej shtoi se prokuroria duhet të ketë një task forcë e cila në veçanti merret me çështjen e konfiskimit të pasurisë.

Petrit Kryeziu, monitorues i gjykatave tha se nga përvoja e tij si monitorues i gjykatës themelore në Prizren nuk është se ka has në ndonjë vendim të gjykatës për konfiskim, sipas tij gjykata është marr me vepra penale të ryshfetit, mitos por jo të konfiskimit. Sipas tij, faji qëndron edhe te Prokuroria, e cila nuk është specifike në aktakuzat të cilat i bënë. Po ashtu, sipas tij edhe Policia nuk është profesionale aq sa ti siguroj prova të mjaftueshme Prokurorisë.

Ajnisha Fishekgjiu tha se sipas perceptimit tim si qytetare, Gjyqësori dhe Prokuroria janë të ndikuar nga politika, andaj nuk ka ende aktakuza konkrete rreth hetimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Fotografi nga debati ne Prizren (1) Fotografi nga debati ne Prizren (2)