Prokuroria të ngre padi penale ndaj komisionarëve të 21 qendrave të votimit
Prishtinë, 17 dhjetor 2010: Lëvizja FOL përmes kësaj deklarate kërkon nga Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi të ngre padi penale ndaj Komisionerëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 21 qendrat e votimit ku Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar se ka pasur manipulim të votave dhe parregullsi, gjithashtu, kërkojmë hetime edhe për qendra të tjera të vendvotimeve.
Vendimet e PZAP dëshmojnë se vota e qytetarëve, në pjesë të ndryshme të Kosovës nuk ishte personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës në nenin (45).
Lëvizja FOL konsideron që me veprimet e tilla është shkaktuar vepra penale: Mashtrimi në votime, i paraparë me nenin 180 të Kodit Penal të Kosovës.
Kultura e mos-ndëshkimit duhet të ndërpritet. Para datës 9 janar 2011, Prokuroritë përkatëse duhet të ngrenë padi ndaj komisionerëve dhe personave të tjerë përgjegjës në 21 qendrat e votimit ku do të përsëriten zgjedhjet.Po ashtu, Lëvizja FOL shprehë shqetësimin me numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme dhe kërkon që Prokuroria e Shtetit të nis një hetim për këtë çështje. KQZ nuk ka dhënë ndonjë shpjegim bindes për pavlefshmërinë e mijëra fletëvotimeve.
Petrit Zogaj tha: Që nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2007 si dhe nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 personat që kanë shkaktuar parregullsitë dhe manipulimin e votave të qytetarëve nuk janë ndjekur penalisht siç do të duhej të ndodhte. Kjo neglizhencë e institucioneve të drejtësisë për të ndëshkuar shkelësit e ligjit dhe së drejtës së votës ka kontribuar drejtpërdrejt në parregullsitë që janë evidentuar në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010.