Prokurimihapur.org tani lidh bizneset me pronarët e tyre
Prishtinë, 2 maj 2019 – Për të rritur transparencën në prokurimin publik dhe rrjedhimisht për të rritur llogaridhënien gjatë procesit të prokurimit publik, Lëvizja FOL me mbështetjen USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, kanë zgjeruar veprimtarinë e portalit prokurimihapur.org. Ndër funksionet e reja që janë shtuar në portal është edhe kërkimi i kontratave me emrin e pronarit të një biznesi që ka fituar kontrata publike.
Elbasan Racaj, koordinator i projekteve në FOL, tha se portali i prokurimit gjeneron të dhëna për më shumë se 11,000 kontrata të nënshkruara nga 216 autoritete publike kontraktuese me rreth 2,591 furnizues ose operatorë ekonomik. Portali përditësohet vazhdimisht automatikisht me të dhënat e marra nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në Kosovë. “Deri më tash qytetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë prokurimin publik, kanë pasur mundësinë që përmes Portalit të Prokurimit të Hapur të analizojnë kontratat e dhëna nga institucionet publike, të ndjekin paranë publike si dhe të kuptojnë më lehtë aktivitetet e prokurimit publik. Përmes vizualizimeve, FOL përmes Portalit ka ofruar mundësinë e krahasimit të institucioneve, gjetjen e kontratave më të mëdha si dhe furnizuesit që janë shpërblyer më shumë me tenderë nga institucionet publike”, tha ai, duke shtuar se që nga sot Portali është pasuruar me module të reja.
Versioni 2.0 i Portalit për Prokurim të Hapur dhe Transparent është pasuruar me modulet e mëposhtme:
- Aktivizimi i datës së fillimit të kontratës dhe mundësia për të shtuar datën e përfundimit të aktivitetit të projektit/prokurimit. Kjo është një ndërhyrje e madhe sepse do të lejojë përdoruesit të shohin se cilat kontrata nuk po zbatohen në kohën e duhur dhe kështu fillojnë të hetojnë arsyet pse një projekt nuk është përfunduar në kohën e caktuar;
- Moduli i abonimit është aktivizuar për kontratat e reja që hyjnë në portalin e hapur të prokurimit. Përdoruesit do të kenë mundësinë të abonohen tek një autoritet i caktuar kontraktues dhe të marrin njoftime kur shtohen kontrata të reja nga ai institucion;
- Është aktivizuar kërkimi në bazë të emrit të pronarit. Nga tani e tutje, përdoruesit do të kenë mundësinë të kërkojnë kontrata bazuar në emrin e pronarit të kompanisë së caktuar që ka nënshkruar kontrata me institucionet publike;
- Do të ofrohen mundësi shtesë për të krahasuar entitetet, qoftë autoritetet kontraktuese apo institucionet. Portali ofron mundësinë për të krahasuar blerësit ose furnizuesit bazuar në vlerën e kontratave tyre të përgjatë viteve si dhe të krahasojnë vlerën e kontratave për të njëjtat industri.
Levizja Fol, përmes Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent po ndihmon në hapjen e prokurimit publik dhe sjelljen e këtij procesi më afër qytetarëve.