Premtimet e thyera të zyrtarëve

Lëvizja Fol ” në kuadër të matësit javor të deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror ” e ka nxjerrë si të pavërtetë deklaratën e kryeministrit Thaçi, i cili kishte deklaruar se të zhvillimet në Serbi nuk ndikojnë në procesin e statusit politik të vendit dhe se vizita e Tadicit shënon fundin e pretendimit të ndonjë politikani serb për përfitim votash në Kosovë.

“Kjo deklaratë e kryeministrit Hashim Thaçi është vërtetuar disa herë si e pavërtetë dhe larg zhvillimeve aktuale në terren”, theksohet në raportin e Lëvizjes Fol. Edhe më shumë se dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas Fol, Serbia do të mbajë zgjedhje në territorin e Kosovës, “në atë pjesë ku de-facto Prishtina asnjëherë nuk ka pasur fuqinë e vet ekzekutive”.

“Paraprakisht, politikanë serbë, pa u penguar fare bën fushatë zgjedhore në Kosovë, dhe madje bënë thirrje për spastrim etnik të shqiptarëve. Si zakonisht, reagimet kanë ndodhur vetëm pas vizitave të liderëve radikalë serbë që kanë hyrë të armatosur në Kosovë. Zgjedhjet në veriun e Mitrovicës mbahen në kohën kur Prishtina disa herë ka shtyrë përpjekjet për të organizuar zgjedhje legjitime edhe për atë pjesë, por pas sukses”, theksohet në raportin javor të Lëvizjes Fol.

Si të pavërtetë Lëvizja Fol e ka nxjerrë edhe deklaratën e kreut të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili kishte premtuar se do të ruhet struktura dhe origjinaliteti i objektit Union, në qendër të Prishtinës, për të cilin së fundi u vlerësua se pas djegies së tij nuk përmban më vlera arkitektonike.

Sipas Lëvizjes Fol, krijohet përshtypja se gjithçka ka qenë e planifikuar që Hotel Unionin të përfundojë në këtë mënyrë. Po ta kishte seriozisht Komuna, sipas Fol, ajo duhej të monitoronte me rigorozitet punën e kompanisë që mori përsipër “rindërtimin” dhe “rehabilitimin” e Unionit.

Si premtim të thyer Fol ka nxjerrë premtimin që Fondi i Privatizimit të kthehet në tregun bankar të Kosovës si dhe zvarritjen e projektligjit për sigurimet shëndetësore. /Telegrafi/