Lëvizja FOL nënshkruan kontratë me Telegrafin për dhënie në shfrytëzim të Portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent

Prishtinë, 04 qershor 2021 – Lëvizja FOL dhe media më kredibile online në Kosovë, Telegrafi.com sot kanë nënshkruar marrëveshjen për ofrimin e portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës, u tha se ky portal do të ofrojë qasje të lehtë për gjetjen e informatave që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli tha se kjo platformë lexuesit do t’i ofrojë transparencë për secilën kontratë të nënshkruar.

“Lëvizja FOL që nga viti 2010, pjesë të programit ka pasur edhe pjesën e prokurimit publik, ndërsa në viti 2018 kemi lansuar platformën për ‘prokurim të hapur dhe transparent’. Kjo platformë përmban të dhëna dhe kontrata nga institucionet e shtetit nga viti 2018 e tutje.

Arsyeja se pse e kemi nënshkruar sot këtë kontratë me Telegrafin ka të bëjë me jetëgjatësinë e këtij portali. Mendojmë që një bashkëpunim i tillë do ta mbajë gjallë këtë portal. Ne si FOL do të vazhdojmë t’i përditësojmë të dhënat, ndërsa Telegrafi do ta përdorë pjesën e saj që të bëjë më shumë hulumtime për sa i përket prokurimit publik, duke iu referuar kontratave që portali ofron”, tha Demolli.

Ndërsa, kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu u shpreh se janë të përkushtuar për të avancuar raportimet që kanë të bëjnë me shpenzimet e parasë publike. “Ne si Telegraf jemi shumë të përkushtuar për të avancuar raportimet që kanë të bëjnë me shpenzimet e parasë publike, me çështjen e tenderëve në Kosovë dhe mbi të gjitha me shpenzimet e taksave të qytetarëve. Mendojmë që me këtë marrëveshje të nënshkruar me Lëvizjen FOL, të avancojmë raportimin në Telegraf dhe të kemi informata që kanë të bëjnë me prokurimin publik.

Po ashtu të marrim informata që kanë të bëjnë me transparencën dhe mbi të gjitha mos të harrojmë që Telegrafi si media serioze ka një audiencë të madhe në Kosovë dhe ne mendojmë që këtë raportim ta avancojmë duke bashkëpunuar me organizata, si kjo me FOL-in”, u shpreh Hajrullahu.

Lëvizja FOL në vitin 2018 kishte lansuar portalin “Prokurimi i Hapur dhe Transparent”. Qëllimi i këtij portali është të ju sigurojë institucioneve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile informata në mënyrë që të shohin se si shpenzohet buxheti i shtetit. Në të njëjtën kohë, hulumtimet në fushën e prokurimit publik bëjnë që institucionet publike në mënyrë të vazhdueshme të përmirësojnë këtë fushë.

Telegrafi.com është portal i pavarur i lajmeve në gjuhën shqipe i themeluar në vitin 2006, me bazë kryesore në Prishtinë dhe seli të dytë në Maqedoni. Telegrafi për më shumë se një dekadë ka arritur të ruajë paanshmërinë dhe të jetë burim i lajmeve me kredibilitetin më të lartë në të gjithë trevat shqipfolëse.