Performanca “Realitetet e papame të transparencës radikale”

Prishtinë, 9 dhjetor 2023 – Sot shënuam Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit, për luftimin e një prej sfidave më të mëdha shtetërore dhe shoqërore, me ndikim kaq të madh në cilësinë e jetës tonë sociale dhe progresit institucional.

Korrupsioni nuk është kategori abstrakte, por e prekshme çdo ditë në jetën tonë. Me të gjitha format e shfaqjes së tij, ky fenomen rrezikon rëndë vlerat e përbashkëta shoqërore, degradon shpejt sistemin shëndetësor, i përul dhe stagnon përpjekjet për zhvillimin e arsimit të vendit, shkatërron mjedisin jetësor dhe dëmton shëndetin e qytetarëve, zmadhon pabarazitë e mëdha sociale dhe ekonomike, sfidon drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, legjitimitetin e përfaqësuesve të zgjedhur dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, si dhe krijon kushte të përshtatshme për përhapjen e krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative.

Luftimi i korrupsionit në Kosovën tonë kërkon veprim sistematik dhe bashkëpunim zingjiror të institucioneve publike, si dhe përfshirje aktive të të gjithë qytetarëve.

Krijimi i politikave të qëndrueshme, reformimi legjislativ, si dhe ndërtimi i institucioneve të forta, janë disa nga parakushtet për triumfim të gjithëmbarshëm në luftën kundër korrupsionit.

Raportet e ndryshme që analizojnë gjendjen faktike të rezultateve nga lufta kundër korrupsionit në Kosovë theksojnë se Kosova gjendet në stade të hershme të luftimit të korrupsionit.

Përpjekjet për pavarësi dhe paanshmëri të sistemit të drejtësisë ende vazhdojnë të mbeten sfiduese.

Rekomandimet e organizatave kredibile të vendit tregojnë se ndërhyrja e politikës, administrata joefikase dhe prania e lartë e korrupsionit janë pengesat kryesore për zbatimin e mekanizmave ekzistues për luftimin e korrupsionit.

Si konkluzion i pasqyrës së madhe, thuhet se Kosova ka punë të madhe para vetes në luftimin e korrupsionit dhe se ka ende shtigje për të shkelur deri në zbatimin në mënyrë adekuate të legjislacionit anti-korrupsion.

Është detyra jonë që të punojmë për të luftuar këtë fenomen, dhe të krijojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

Pa këtë, demokracia dhe shtetësia do të na mbeten vetëm fjalë të thurura mirë në letër.

Ne, si Lëvizje FOL, Ditën Ndërkombëtarë kundër Korrupsionit kemi vendosur t`a shënojmë përmes një performance artistike, të emëruar si “Realitetet e papame të transparencës radikale”.

Vepra në prapavijë është, krijim i artistit Driton Selmani.

Performanca “Realitetet e papame të transparencës radikale” përmes fjalës dhe dritës shpërfaqen në këtë instalacion bashkëkohor, duke kombinuar fjalën, zërin dhe dritën.

Duke përmbysur gjuhën publike përmes formave jotradicionale, videoja pret narrativën e padurueshme të premtimeve të shkeluna të pushtetit.

Kjo performancë nxjerr në pah realitetin aktual të zotimeve të pambajtuna, duke përdorë disponimin hamendësues për të dekonspiruar boshllëkun e autoriteteve. Nën tingujt e trompetës vepra bëhet kontradiktë e kohës së vet, duke kapë tensionin mes fjalëve të shkeluna dhe duke i kthy ato në tinguj radikalë.

Peisazhi i portretizuem pasqyron demokracinë e shkërmoqun, shpërfilljen dhe braktisjen – gjë që pasqyron nevojën e madhe për rimëkambje shoqënore.

Finalja e veprës ‘Le t’ketë dronë’ zbulon një koreografi radikale në vallen e transparencës së kalbun – një vështrim bindës që i shtyn shikuesit të përballen me mbeturinat e premtimeve të pambajtura në sferën socio-politike.

Lufta kundër korrupsionit padyshim se mund të zhvillohet edhe përmes artit, në mënyrë që t’i çlirojmë ‘barrierat e hekurta’ në zhvillimin progresiv të demokracisë tonë të re.

Këto barriera që na i ka vendosur korrupsioni, qoftë i nivelit të lartë apo jo, nuk mund t’i thyejmë asnjëherë ndryshe: përveçse duke luftuar në mënyrë të përbashkët!

Duke krijuar sinergjinë e duhur drejt luftimit aktiv të këtij fenomeni, çdo hallkë institucionale duhet të veproj, ndërsa secili prej nesh do të jetë falënderues.

*Ky aktivitet është financuar nga Rockefeller Brothers Fund. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Rockfeller Brothers Fund.

#BashkeKunderKorrupsionit#levizjafol#institutiikosovesperdrejtesi#iniciativapërprogres