Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile takuan krerët e subjekteve politike nga PDK dhe AAK

Prishtinë, 5 qershor 2025 –  Sot përfaqësues të organizatave të shoqërisë, në takime të ndara takuan krerët e subjekteve politike, z. Memli Krasniqi nga PDK dhe z. Ramush Haradinaj nga AAK. Këto takime po bëhen me qëllim të hapjes së një dialogu midis spekrit politik dhe shoqërisë civile drejt tejkalimit të bllokadës politike e institucionale.

Mesazhi ynë për të gjitha partitë politike është i qartë: të lëvizin nga pozicionet e tyre bllokuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit duke treguar përgjegjësi dhe qasje konsensuale.

Paraliza institucionale si kjo po shkakton dëme dhe humbje për të gjithë ne. Mungesa e ligjëvënies, mbikqyrjes së ekzekutivit, mospërmbushja e obligimeve për të përshpejtuar integrimet dhe zhvillimin ekonomik, po shpërfaqet në humbjen e besimit dhe durimit qytetar, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë.